Ngrohja globale për shkak të ndryshimit të klimës e ka prekur Arktikun shumë më tepër se sa mendohej më parë, kanë zbuluar së fundmi shkencëtarët finlandezë.
Sipas një studimi të realizuar nga shkencëtarët e Institutit Finlandez të Meteorologjisë në Helsinki, rajoni i Arktikut është ngrohur thuajse katër herë më shpejt se sa mesatarja globale në 43 vitet e fundit.
Pjesë të caktuara të Oqeanit Arktik madje janë ngrohur shtatë herë më shpejt krahasuar me planetin në tërësi. Sipas studiuesit Mika Rantanen, modelet e klimës e kanë nënvlerësuar deri më sot të ashtuquajturin efekt i amplifikimit polar.
Studimet e kaluara kanë zbuluar se Arktiku po ngrohej dy herë më shpejt se rajonet e tjera, por një grup pune i Këshillit të Arktikut, me seli në Tromsø të Novergjisë, raportoi në maj të vitit të kaluar se rritja e temperaturës sipërfaqësore të Arktikut në periudhën mes viteve 1971 dhe 2019 ishte 3.1 gradë celsius, ose rreth tre herë më e lartë se sa mesatarja globale.
Shkencëtarët finlandezë e argumentojnë zbulimin e tyre me rritjen e fortë dhe të vazhdueshme të ngrohjes së Arktikut, por edhe me përkufizimin e vetë Arktikut si rajon – e gjithë zona brenda Rrethit të Arktikut – si edhe me faktin që ata i marrin parasysh llogaritjet duke nisur nga viti 1979, viti kur të dhëna më të hollësishme dhe më të besueshme filluan të siguroheshin falë imazheve satelitore./atsh/
Operacion policor në Fier, sekuestrohen dy armë zjarri
Liverpooli ia “mbyll derën” Juventusit për Chies...
Merret vendim në tërë Kosovën, shtyhet procesi mësimor deri ...
KRU “Mitrovica” apelon te konsumatorët që uji të mos përdore...
Parashikimi i motit për nesër, me riga shiu
Lëndohet përsëri Ter Stegen