Ministri për Kulturë, Rini dhe Sport, Kujtim Shala, me një pjesë të ekipit të tij, ka qëndruar të martën pasdite në Mitrovicë, ka parë nga afër shtëpinë e Xhafer Devës, pas zjarrit që shpërtheu të shtunën në këtë objekt.
Ai është njoftuar për gjendjen aktuale të objektit, nga drejtori i kulturës në Komunën e Mitrovicës, Ardian Kavaja, drejtori i urbanizimit, Sami Zeka dhe drejtoresha e Qendrës Rajonale të Trashëgimisë Kulturore, Rrezarta Loxha.
“Jemi sot këtu që të shohim nga afër gjendjen e objektit, por edhe të njoftohemi me konstatimet e komisionit për gjendjen e objektit dhe mundësitë për renovimin e tij. Nga zyrtarët e komunës u njoftuam në detaje rreth kësaj çështjeje, ku dëmet e shkaktuara konsiderohen të mëdha, por është shumë me rëndësi që gjendja statike e objektit është e mirë dhe ka mundësi të restaurimit të shtëpisë, e cila është pjesë e programit të ministrisë për restaurim gjatë këtij viti”, tha ministri Shala.
Sipas tij, fillimisht janë ndarë 115.000 euro për restaurim, mirëpo pas dëmeve që ka pësuar objekti, kjo shumë është e pamjaftueshme, kështu që duhet bërë edhe një vlerësim shtesë për të përcaktuar shumën e nevojshme për kryerjen e punëve.
Gjatë qëndrimit në Mitrovicë, ministri Shala ka vizituar edhe Qendrën e Kulturës “Rexhep Mitrovica, për të shikuar mundësit e mbështetjes së dy projekteve, për rregullimin e çatisë së objektit dhe dyerve e dritareve të jashtme, si dhe Palestrën e Sporteve “Minatori”, ku janë vonuar punimet në renovimin e saj.
Shala është angazhuar që punët në këtë objekt të kryhen sa më parë dhe palestra të rifunksionalizohet në mënyrë që mos të pësojnë sportistët.
Haxhiu fton qytetarët të mbështesin kandidatët gra të VV-së ...
Kurti: Lidhjet e Prizrenit me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Ve...
Prokuroria e Sarandës dërgon për gjykim pesë persona për ndë...
Sulmi rus mbi Kievin vret një person, lë qindra mijëra pa rr...
KQZ: Mbi 1,600 votues kanë votuar deri në ora 09:00 në 24 pë...
Hysen Durmishi inkurajon qytetarët e diasporës të marrin pje...