Edhe sivjet organizohet Festivali FemArt

12:05 | 12 Prill 2017

Organizata për Art dhe Komunitet – Artopolis, këtë vit organizon për herë të 5-të Festivalin FEMART duke filluar nga data 25-30 maj në qytetin e Prishtinës.

Festivali FemArt zyrtarisht ka mbyllur thirrjen për aplikimin e pjesëmarrëseve për edicionin e 5-të.

Thirrja ishte e hapur nga data 21 mars deri më 10 prill 2017, ndërkaq me qindra artiste dhe aktiviste nga Kosova, rajoni dhe mbarë bota kanë aplikuar për të qenë pjesëmarrëse.

Festivali FEMART është festivali i parë dhe i vetëm feminist në Kosovë, njëherësh edhe më i madhi në rajonin e Ballkanit që për katër vite radhazi ka bashkuar artistë dhe aktivistë nga mbarë bota në kryeqytetin e Kosovës, Prishtinë.

Festivali FEMART çdo vit angazhon mbi qindra artistë dhe aktivistë të cilët shfaqin punën e tyre përmes: shfaqjeve teatrale, film dokumentar, film të shkurtë, leximeve skenike, artit vizual, ekspozitave, performancave, koncerteve, promovime librash, ligjëratave, punëtorive, paneleve të diskutimeve dhe prezantime të ndryshme në formë të artit.

Këtë vit, për nder të vitit të pestë të organizimit, FemArt do të sjellë shumë befasi për publikun duke e bërë javën e fundit të majit të paharrueshëm për artdashësit.

Shpërndaje në rrjete sociale

Lajmet më të lexuara