“Diell pas stuhie”, rrëfimi poetik i Marta Gegajt mes dhimbjes, shpresës dhe ringritjes

14:27 | 22 Korrik 2026
E.G

Nga stuhitë e jetës te rrezet e shpresës, “Diell pas stuhie” sjell një rrëfim poetik të mbështetur mbi emocione të vërteta.

Përmes librit të saj me poezi, autorja shqiptare me bazë në Gjermani, Marta Gegaj, fton lexuesit të besojnë se edhe pas ditëve më të errëta ekziston gjithmonë mundësia për t’u ringritur.

Në një intervistë për Arbresh.info, autorja ndau historinë pas titullit, frymëzimin e poezive dhe mesazhin që synon të përcjellë përmes kësaj vepre.

E pyetur se çfarë përfaqëson titulli “Diell pas stuhie” dhe pse vendosi ta titullonte kështu librin, autorja tha se ai buron nga përjetimet e saj, por edhe nga historitë e njerëzve të tjerë.

“Titulli “Diell pas stuhie” lindi si pasojë e një stuhie që kam përjetuar gjatë viteve të fundit të jetës sime, por jo vetëm. Ai u frymëzua edhe nga stuhitë që kam parë e kam ndier përmes njerëzve të tjerë dhe historive të tyre”, u shpreh Gegaj.

Ajo shtoi se për të, stuhia dhe dielli mbartin një simbolikë të veçantë.

“Për mua, stuhia simbolizon dhimbjen, sfidat dhe zhgënjimet, ndërsa dielli përfaqëson forcën, shpresën dhe ringritjen. Sepse, pavarësisht sa e gjatë është një stuhi, dielli gjithmonë gjen mënyrën të dalë”, tha autorja.

Duke folur për burimin e frymëzimit të poezive, Gegaj tregoi se ato janë ndërtuar mbi përvojat e saj personale, por edhe mbi rrëfimet e njerëzve që kanë ndarë me të historitë e tyre.

“Siç e përmenda edhe më lart, disa prej poezive burojnë nga përjetimet e mia personale. Të tjerat janë frymëzuar nga historitë e njerëzve që kam njohur, të cilët kanë gjetur besimin të më rrëfejnë dhimbjet e tyre”, tha ajo.

Autorja theksoi se ndjeshmëria ndaj dhimbjes së të tjerëve është bërë burimi më i madh i frymëzimit për krijimtarinë e saj.

“Jam një njeri që e percepton më fort dhimbjen sesa lumturinë, ndaj shpesh e përjetoj dhimbjen e tjetrit sikur të ishte e imja. Pikërisht ky ndjeshmëri është bërë burimi më i madh i frymëzimit për poezitë e këtij libri”, u shpreh Gegaj.

Sa i përket mesazhit që dëshiron t’u përcjellë lexuesve, autorja tha se libri nuk është shkruar për të numëruar plagët, por për të dëshmuar forcën që lind pas tyre.

“Përmes “Diell pas stuhie” dua t’u përcjell lexuesve se, për aq kohë sa jetojmë, dhimbja dhe zhgënjimi do të jenë pjesë e jetës sonë. Por thelbi i këtij libri nuk është të thotë: “Shikoni sa shumë kam vuajtur.” Ai thotë: “Shikoni sa kam duruar, sa kam falur, sa kam kuptuar dhe sa kam shpresuar.””, tha ajo.

Më tej, Gegaj shtoi se libri është një ftesë për të besuar te shpresa edhe në momentet më të vështira.

“Ky libër është një ftesë për të besuar se edhe pas ditëve më të errëta, dielli do të ngrohë dhe do të ndriçojë jetën tonë, për aq kohë sa ne zgjedhim të mos e humbim shpresën”, u shpreh autorja.

E pyetur se sa nga poezitë janë të lidhura me përvojat e saj personale dhe sa hapësirë i ka lënë imagjinatës, Gegaj tha se pjesa më e madhe e tyre burojnë nga jeta e saj.

“Rreth 70% e poezive janë të lidhura me përvojat e mia personale, ndërsa pjesa tjetër është fryt i imagjinatës dhe i frymëzimit nga histori të ndryshme. Libri trajton tema si jeta, dashuria, familja, atdheu, gjuha jonë, zhgënjimi dhe shpresa. Për këtë arsye, imagjinata ka qenë e pranishme, por gjithmonë e mbështetur mbi emocione dhe ndjenja të vërteta”, tha autorja.

Në fund, Gegaj shprehu dëshirën që çdo lexues ta mbyllë librin me më shumë besim dhe shpresë.

“Deri në faqen e fundit të këtij libri ka dhimbje, mall dhe dashuri. Por në fund të çdo poezie ka edhe shpresë, forcë dhe dritë; ka gjithmonë një diell”, tha ajo.

“Shpresa ime më e madhe është që lexuesi ta mbyllë faqen e fundit me më shumë besim në jetë, me më shumë shpresë në zemër dhe me më shumë dëshirë për të dashur e për të besuar”, shtoi Gegaj.

Në përmbyllje, autorja ndau edhe një reflektim për dashurinë, që sipas saj përbën një nga mesazhet më të rëndësishme të librit.

“Sepse dashuritë më të mëdha nuk janë domosdoshmërisht ato që zgjasin përgjithmonë; janë ato që jetohen me gjithë shpirt, çdo ditë, sikur ajo të ishte dita e fundit”, përfundoi Marta Gegaj./Arbresh.info

Të ngjashme