Arrestohet në Prishtinë një person për falsifikim dokumentesh dhe mashtrim me prona të AKP-së

10:01 | 2 Nëntor 2025
E.H

Policia e Kosovës ka arrestuar një person në Prishtinë, i dyshuar për përfshirje në një skemë falsifikimi dokumentesh dhe mashtrimi me prona që kanë qenë nën menaxhimin e Agjencisë Kosovare të Privatizimit (AKP).

Sipas policisë, i dyshuari, në bashkëkryerje me persona të tjerë, ka falsifikuar dokumente pronësore me qëllim që pronat shtetërore t’i bartë në pronësi private, për t’i shitur më pas tek qytetarët duke i mashtruar, shkruan Arbresh.ifno.

Nga këto veprime, ata dyshohet të kenë përfituar shuma të mëdha parash.

Gjatë operacionit policor janë bastisur një shtëpi, tri banesa dhe dy garazha, ku janë gjetur dhe konfiskuar dokumente të ndryshme që lidhen me falsifikime, si dhe pajisje që dyshohet të jenë përdorur për këtë veprimtari.

Po ashtu, gjatë kontrollit është konfiskuar një pistoletë me 103 fishekë, një telefon celular, një orë dore Rolex dhe një zinxhir dore Rolex.

“Prishtinë / 2021-2024. Më 01.11.2025 është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar për shkak të dyshimit se ka kryer veprat penale të cekura më lartë. Dokumentet dyshohetet se janë falsifikuar lidhur me pronat e përfshira që kanë qenë nën menagjimin e AKP-së të cilat prona përmes dokumenteve të falsifikuara i dyshuari në bashkëkryerje me persona tjerë kanë arritë ti falsifikojnë dokumentet që në procedura për bartje dhe legalizim i kanë bartur nga prona shtetërore në pronësi private, pastaj i kanë shitur duke mashtruar blerësit dhe nga këto para kanë përfituar shuma të mëdha financiare. Janë bërë kontrolla në një shtëpi, tri banesa dhe dy garazha ku janë konfiskuar dokumente të ndryshme që kanë lidhje me falsifikime si dhe pajisje që janë përdorë për falsifikimin e dokumenteve. Gjatë operacionit është konfiskuar një pistoletë me 103 fishek, një telefon celular, një orë dore rolex dhe një zingjir dore rolex. I dyshuari pas intervistimit me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje”, thuhet në raportin 24 orësh të PK./Arbresh.info

Shpërndaje në rrjete sociale