Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) ka bërë të ditur se ka filluar procesin e auditimit të performancës mbi efikasitetin e institucioneve për mbrojtjen, zhvillimin dhe ripërtëritjen e hapësirave pyjore në Kosovë, i cili është pjesë e Planit Vjetor të Auditimit për periudhën 2024/2025.
Në njoftim thuhet se ky auditim synon të vlerësojë masat dhe veprimet e institucioneve për ruajtjen dhe shfrytëzimin e qëndrueshëm të pasurive pyjore, të cilat përfaqësojnë një nga burimet më të vlefshme natyrore të vendit.
ZKA njofton se fushëveprim i këtij auditimi është Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Agjencia Pyjore e Kosovës, e cila vepron në kuadër të kësaj ministrie si dhe Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës si dhe Agjencia Kadastrale e Kosovës.
“Pyjet luajnë një rol jetik në ruajtjen e ekuilibrit ekologjik, zbutjen e ndryshimeve klimatike dhe sigurimin e kushteve më të mira për mjedisin dhe shoqërinë. Megjithatë, sfida si shpyllëzimi i paligjshëm, degradimi i tokës, mungesa e monitorimit dhe koordinimi i dobët institucional vazhdojnë të dëmtojnë këto burime të vlefshme natyrore”, thuhet në njoftim.
Tutje thuhet se auditimi do të fokusohet në vlerësimin e masave për mbrojtjen e pyjeve nga prerjet ilegale dhe shfrytëzimi i paqëndrueshëm i burimeve pyjore, efikasitetin e institucioneve në zbatimin e programeve të rikultivimit dhe ripërtëritjes së pyjeve, dhe përcaktimin e mënyrave për bashkëpunim efektiv midis institucioneve për menaxhimin e pyjeve shtetërore dhe atyre brenda parqeve kombëtare.
“ZKA vlerëson se ruajtja dhe menaxhimi efektiv i pyjeve është thelbësor për mjedisin, shëndetin e popullsisë dhe zhvillimin ekonomik të vendit. Raportet e ndryshme tregojnë se veprimet ilegale dhe mungesa e planifikimit strategjik kanë shkaktuar dëmtime serioze në ekosistemet pyjore.Përmes këtij auditimi, ZKA synon të ndihmojë në identifikimin e masave që mund të ndërmerren për të përmirësuar menaxhimin e pyjeve, në mënyrë që të sigurohet ruajtja dhe përdorimi i tyre i qëndrueshëm për brezat e ardhshëm”, thuhet në njoftim.
Zyra Kombëtare e Auditimit thotë se vazhdon të jetë e përkushtuar për të siguruar që pasuritë natyrore të vendit tonë të menaxhohen në mënyrë transparente dhe efektive.
Për katër vjet, 20 mijë pensionistë më shumë në Kosovë
Të huajt njoftohen me rregullat e reja në kufi, shtetasit e ...
Milan nuk e shfrytëzon gabimin e Interit, mposhtet nga Lazio
Spanja do të lansojë një mjet të ri për të matur urrejtjen n...
Shkencëtarët zbulojnë “shqisën e shtatë” te njerëzit
Tre mënyra të lehta për të luftuar lodhjen me ushqim