Tetë kompani kosovare marrin pjesë në takime me blerës gjermanë

17:28 | 24 Shtator 2021

Nën kujdesin e Ministrisë Federale të Ekonomisë dhe Energjisë të Republikës Federale të Gjermanisë (BMWi), nga 29.09. deri më 19.10. do të mbahet Konferenca e shtatë “Iniciativa për gjetjen e kompanive-furnizuese nga vendet e Ballkanit Perëndimor për kompanitë prodhuese gjermane”.

“36 kompani gjermane do ta kenë mundësinë përmes takimeve B2B (biznes me biznes) me 208 kompani nga Ballkani Perëndimor të gjejnë furnitorë nga Kosova, Maqedonia Veriore, Kroacia, Sllovenia, Serbia, Bosnja e Hercegovina dhe Shqipëria. Sipas organizatorëve do të zhvillohen mbi 550 takime B2B”, thuhet në njoftim.

Drejtoresha e Odës Ekonomike Gjermano-Kosovare, Nora Hasani tregon se kjo ngjarje është pjesë e projektit të Ministrisë Federale të Ekonomisë dhe Energjisë së Republikës Federale të Gjermanisë, për të mbështetur kompanitë e Ballkanit Perëndimor, në kuadër të programit për hapjen e tregjeve të reja për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme, shkruan arbresh.info.

Çdo vit numri i kompanive kosovare që kualifikohen për pjesëmarrje në Konferencën e BME-së për Ballkanin Perëndimor, po rritet.

“Duke qenë se përzgjedhja e kompanive pjesëmarrëse për takime B2B bëhet direkt nga blerësit industrial, dëshmon që kompanitë kosovare që janë kualifikuar kanë prodhime të cilësisë së lartë dhe i plotësojnë standardet që kërkohen nga industria gjermane për t’u kualifikuar si furnitorë potencial”, thekson Nora Hasani.

Në konferencën që do të mbahet dhe sivjet online, nga Kosova do të marrin pjesë Multi-Tech-Group, Mikroni, VINEX, Eurometal, Polytec, Unicron, Inova Pipe dhe Art Aluminum.

Në një takim përgatitor këto kompani sot u pritën në zyre të OEGJK-së për të marrë më shumë informacione për takimet dhe përkrahjen që OEGJK e ofron për pjesëmarrësit. /arbresh.info/

Lajmet më të lexuara