Masat në pikat kufitare, Shahini flet për problemet, me të cilat përballen bizneset

00:17 | 28 Janar 2022

Kryetari i Aleancës së Bizneseve të Kosovës, Agim Shahini, ka treguar se sa janë dëmtuar bizneset e vendit nga masat e reja të vendosura nga qeveria për menaxhimin e situatës me COVID-19.

Në Edicionin Special të Klan Kosovës, ai ka thënë se masat e vendosura në pikat kufitare të vendit, paraqesin ndikim negativ për të gjithë bizneset që dëshirojnë të operojnë edhe jashtë.

“Këto rregulla i vlerësojmë se janë të ngarkuara me një kërkesë të panevojshme dhe kaq të madhe. Kjo pasi një person që i ka dy vaksina kundër COVID-19, pse do të duhej t’i kërkohej testi, si dhe e kundërta pse duhet t’i kërkohen dy vaksina një personi që e ka testin për COVID-19”, ka thënë Shahini.

“Në këtë drejtim nuk është problemi vetëm te bizneset, sepse, maunet dhe shoferët mund të lëvizin. Por, qytetarët dhe biznesmenët që mund të lëvizin për të kontraktuar mall duhet t’u nënshtrohen këtyre rregullave”.

Shahini ka deklaruar se probleme kanë pranuar edhe nga bizneset që vijnë drejt Kosovës nga vendet fqinje.

“Kemi kërkesa të vazhdueshme të njerëzve e shohim edhe në kufi se është numri i vogël i qytetarëve dhe bizneseve që lëvizin në të dyja anët. Kemi pranuar reagime nga Maqedonia e Veriut, Shqipëria dhe nga Lugina e Preshevës. Mendoj se duhet të kemi një mirëkuptim për vendet fqinje sa u përket masave, pasi marrim atë çka ne mund të ofrojmë, në të kundërtën, po vetizolohemi”.

Ai ka theksuar se i kanë bërë thirrje Qeverisë Kurti që t’i lirojnë sa më shpejt këto masa.

Lajmet më të lexuara