Jepet tenderi për asgjësim të kafshëve të sëmura në Kosovë, 17 herë më i lirë sesa që ishte parashikuar

10:33 | 23 Qershor 2020 | Agnesa Çitaku

Kafshët me sëmundje në Kosovë do të asgjësohen.

E për këtë tashmë është dhënë edhe tenderi shkruan arbresh.info.

Fitues i tenderit me titull ‘Shërbimet e asgjësimit të kafshëve me sëmundje’, ka dalë Brahim S. Tahiri B.I nga komuna e Podujevës, ndërsa vlera e tij është 7 mijë euro ose saktësisht 6 903,20 euro.

Kjo ishte edhe kompania e vetme që kishte aplikuar.

Ndërsa Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë e cila edhe kishte shpallur këtë tender, me hapje të tij kishte parashikuar që vlera e kontratës të ishte 17 herë më e shtrenjtë ose 120 mijë euro.

Në njoftimin për dhënie të kontratës të bërë publik në faqen e Komisionit Rregullativ të Prokurimit Publik thuhet se vendi i punëve do të jetë në tërë territorin e Kosovës.

“Vendi i performimit te shërbimeve është në gjithë territorin e Republikës së Kosovës ku paraqiten sëmundjet në bazë të rasteve të infektuara”, thuhet në njoftim.

E te përshkrimi thuhet se asgjësimi i kafshëve do të bëhet në bazë të legjislacionit në fuqi.

“Asgjësimi i kafshëve bëhet duke u bazuar në rezultatet e analizave laboratorike dhe vendimin e marrë nga inspektori veterinar i AUV-së për asgjësim duke i respektuar procedurat e kërkuara sipas legjislacionit në fuqi”, thuhet më tej.

Ndërsa kohëzgjatja e marrëveshjes kornizë është 36 muaj./arbresh.info/

 

 

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Lajmet më të lexuara