Bashkimi i Sindikatave të Pavarura do të protestojë të mërkurën më 1 maj, mirëpo kjo nuk do të jetë protesta e vetme. Ky mekanizëm ka paralajmëruar se do të dalin në rrugë përsëri.
Kontrata kolektive, motivimi i nënave të reja me pushim të shtatzënisë, paga minimale, sigurimi shëndetësor, mbrojtja në punë, bashkë me pakënaqësinë e arsyeshme e të punësuarve e po ashtu edhe me pakënaqësinë e të rinjve për të gjetur punë, janë vetëm disa nga arsyet që BSPK-ja ka radhitur për të thirrur protesta.
Nënkryetari i BSPK-së, Atdhe Hykolli, ka thënë për Koha.net se do të jenë këmbëngulës në kërkesat e tyre, derisa ka shtuar se më 1 maj do të dalin me kërkesa të qarta.
Sipas Hykollit masiviteti dhe këmbëngulësia kësaj here do të japin rezultatet e pritura.
“Veprimet e planifikuara janë dalja me qëndrime të qarta ndërtuese dhe jo shkatërruese, por besoni se shumë këmbëngulëse. Besojmë shumë se masiviteti dhe këmbëngulësia do të japin rezultatet e duhura për të shoqërinë tonë’, ka thënë ai.
Ai ka folur edhe për rritjen e pagës minimale, duke thënë se kërkojnë që ajo të rritet në 350 euro.
“Ne u morëm vesh në 2018-ën për lartësinë e pagës minimale 250€, dhe tashmë kjo duhet ndryshuar dhe ngritur së paku në 350€, se nuk ka zhvillim e as qëndrueshmëri sociale aty ku Qeveria me politika jo të duhura prek dinjitetin e njeriut duke ia cunguar pagën”, ka thënë Hykolli.
Sipas Hykolllit, një rritje e tillë është e përballueshme. Ai thotë se buxheti i vendit është i mbushur me kategori buxhetore të panevojshme të sajuara me stoqe të panevojshme.
“Buxheti i shtetit ka kategoritë buxhetore, dhe analistët e dinë këtë se ku e sa shkon. Ka kategori buxhetore të cilat janë tejet të larta pa nevojë për shkak të harxhimeve fiktive dhe të sajuara me plot stoqe të panevojshme. Buxheti i Shtetit mund ta përballojë këtë me politika të mira fiskale dhe buxhetore”, ka përfunduar ai.
Ndryshe prej Hykollit, njohësi i çështjeve ekonomike, Musa Limani, pagën prej 250 euro e she si të mjaftueshme.
Sipas tij BSPK-ja do të duhej të pajtohej me këtë pagë sepse bazuar në shportën e jetesës në Kosovë, një shumë e tillë është e pranueshme.
“Pagën minimal të propozuar nga Qeveria në vlerë prej 239 euro, nuk po e pranon BSPK, po kërkojnë që ajo të rritet në 250 euro. Mendoj, se duke u bazuar në ‘shportën’ e jetesës, paga minimal prej 250 euro është e pranueshme. Mirëpo, për këtë vendos Qeveria”, ka thënë ai.
Koha.net ka provuar të kontaktojë zyrtarë nga Ministria e Financave, për t’i pyetur nëse një rritje e tillë do të kishte implikime buxhetore, por një gjë e tillë nuk ka qenë e mundur.
Kujtojmë se paga minimale në Kosovë, për të punësuarit e moshës mbi 35 vjeçare, është 170 euro, ndërsa për të punësuarit e moshës nën 35 vjet është në vlerë prej 130 euro. Kjo shumë nuk ka ndryshuar që nga viti 2011 kur ishte vendosur.
Ndërkaq, sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës, shkalla e punësimit në Anketën e Fuqisë Punëtore, për tremujorin e katërt 2018 ishte 28.8%.
Punësimi më i lartë është te meshkujt (45.2%), ndërsa punësimi te femrat është 12.7%. Femrat janë të punësuara, kryesisht në sektorët e arsimit, tregtisë dhe kujdesit shëndetësor, me 52.9 % të tyre, ndërsa meshkujt janë kryesisht të punësuar në sektorët e tregtisë, ndërtimtarisë dhe prodhimit, me 44.1%.
Sektorët ekonomikë, që prijnë me punësim, vazhdojnë të jenë, tregtia me 17.0%, ndërtimtaria me 12.1%, prodhimi me 11.1%, si dhe arsimi me 10.6%. Ndërsa, sektorët e tjerë marrin pjesë me përqindje më të vogël në punësim.
Sa u përket të punësuarve me kontrata, del se 33.8% e personave të punësuar kanë kontratë të përhershme në punën e tyre kryesore, ndërkohë që 66.2% kanë kontratë të përkohshme.
Sipas rezultateve të AFP-së, në TM4 2018, shkalla e papunësisë është 31.4%.
Papunësia më e theksuar është te femrat me 38.0%, krahasuar me meshkujt, 29.2%. Shkalla më e theksuar e papunësisë është te grupmoshat 15-24 vjeçare me 57.3%.
Sulme dhe kundërsulme: Irani dhe ShBA shkëmbejnë goditje në ...
E shtunë me diell dhe vranësira
Sot votohet në përfaqësitë diplomatike të Kosovës në 18 shte...
Përfshihet nga flakët një automjet në Kaninë, dyshohet për s...
Riquelme synon ta sjellë Kloppin te Real Madridi
Krizë humanitare në Liban, OKB ngre alarmin për 1.4 milionë ...