Banka Botërore: Rritja ekonomike në Kosovë për vitin 2021 pritet të jetë 3.7 për qind

11:41 | 9 Qershor 2021

Kosova pritet të ketë rritje ekonomike gjatë vitit 2021, pas recesionit të vitit të kaluar që ishte më i rëndi i regjistruar ndonjëherë në rajon.

Kështu vlerëson Banka Botërore në raportin “Perspektiva ekonomike botërore”, që thekson se pas goditjes së rëndë ekonomike të shkaktuar nga pandemia COVID-19, që rezultoi me një tkurrje të aktivitetit ekonomik prej minus 8.8 për qind në vitin e kaluar, Kosova pritet të ketë rritje ekonomike me 3.7 për qind në vitin 2021.

“Një rimëkëmbje e theksuar nga pandemia COVID-19, në fund të vitit 2020 ndërpreu rimëkëmbjen fillestare ekonomike, duke përkeqësuar dhe Indeksin e Prodhimit në të gjithë rajonin. Ekonomitë e goditura më shumë nga pandemia janë ato vende me lidhje të forta tregtare ose financiare, të varura shumë nga shërbimet dhe turizmi (Kroacia, Kosova, Mali i Zi)”, thuhet në raportin e BB-së.

Rimëkëmbja ekonomike do të jetë graduale edhe në Kosovë, në përputhje me trendin botëror, aktiviteti real do të arrijë nivelet para-pandemike vetëm në 2022.

BB thotë se pandemia ndërpreu progresin e arritur gjatë një dekade në vendet e rajonit në rritjen e të ardhurave dhe uljen e varfërisë, ndërkohë që tregjet e punës në Ballkanin Perëndimor kanë mundur të rikuperojnë vetëm gjysmën e vendeve të punës të humbura për shkak të pandemisë – duke lënë të papunë një numër të lartë personash dhe duke i detyruar shumë të tjerë të braktisin tërësisht tregun e punës.

Sipas raportit, përpjekjet e politikave në rajon duhet të vijojnë të përqendrohen në mënyrë të vendosur në luftën kundër pandemisë, zvogëlimin e kostove sociale dhe mbështetjen e rimëkëmbjes.

“Rritja ekonomike në vendet me të ardhura të ulëta këtë vit parashikohet të jetë 2.9 për qind që pas vitit 2020, është rritja më e ngadaltë në 20 vitet e kaluara, dhe që pjesërisht reflekton ritmin e ngadaltë të vaksinimit në këto vende”, thuhet në raport.

Në fund, BB thekson se, ulja e kostove të tregtisë, të tilla si logjistika e komplikuar dhe procedurat kufitare, mund të ndihmojë në forcimin e rimëkëmbjes në vendet me tregje në rritje dhe ekonomi në zhvillim, duke lehtësuar kështu tregtinë. /Telegrafi/

Shpërndaje në rrjete sociale

Lajmet më të lexuara