Situata me Covid, Pipero: Nuk ndryshojnë masat, kur pritet ulja e rasteve

01:37 | 3 Mars 2021

Shkurti u mbyll me numrin më të lartë të humbjeve të jetëve prej Covid 19 në Shqipëri dhe po me numër të lartë vdekjesh nisi dhe marsi.

Rreth 23% e viktimave të shënuara nga koronavirusi që prej fillimit të pandemisë u regjistruan muajin e dytë të vitit.

Mjeku  infeksionist Pëllumb Pipero  mendon kjo situatë vjen pasi shumë persona po ekspozohen më gjatë ndaj virusit ndërsa shumë të tjerë po hezitojnë të shkojnë në kohën e duhur në spital.

“Rrinë me komplikacione në shtëpi. E ka thënë disa herë që ka një lloj skepticizmi për të ardhur në spital. Koha e ekspozimit ndaj virusit ka qenë më e madhe”

Ndërkohë  virusi  sipas infeksionistit është bërë më agresiv dhe këtë Pipero e lidh me  shenjat që po shfaqin shumë prej personave të infektuar.

“Po konstatojmë raste me tre katër ditë klinikë dhe prekje shumë të gjerë të mushkërive. Kjo prekje ka avancuar në mënyrë të heshtur dhe më pak klinikë”.

Mjeku i spitalit Covid 1 nuk pret një përmirësim të shpejtë të  situatës së koronavirusit  në Shqipëri madje shprehet për një rritje të numrit të të infektuarve gjysmën e parë të marsit.

“Besoj se deri nga gjysma e Marsit numri i rasteve do të jetë në këto nivele, edhe më i lartë. Besoj nga prilli rënia do të jetë më e qëndrueshme për shkak se me rritjen e temperaturave, ajrosen më shumë edhe lokalet”, shprehet ai.

Sa i përket shtrëngimit të masave për kufizimin e përhapjes së infeksionit  mjeku mendon se fillimisht ka vend për zbatimin e atyre ekzistuese.

Ndërsa rastet e të prekurve po njohin rritje infeksionisit i bën thirrje qytetarëve të shmangin vendet me shumë njerëz e të përdorin maskë. Aktualisht në Shqipëri janë të prekur nga Covid 19 mbi 35 mijë persona ndërsa më shumë se 1800 kanë humbur jetën prej virusit./abcnews/

Shpërndaje në rrjete sociale

Lajmet më të lexuara