Shpallja e gjendjes së jashtëzakonshme: Komandanti i FSK-së tregon rolin që do ta kenë

00:25 | 6 Gusht 2020

Shpallja e Gjendjes së Jashtëzakonshme është një mundësi e hapur për Qeverinë Hoti për të ndihmuar në menaxhimin e pandemisë.

Por, kjo çështje ishte përfolur shumë në fillimet e pandemisë kur shifrat e të infektuarve ishin ende dyshifrore pasi kishte mospajtim mes ish-kryeministrit Albin Kurti dhe presidentit Hashim Thaçi – gjë e cila edhe u komentua si një ndër shkaset e rrëzimit të Qeverisë, njofton Klan Kosova.

Se u politizua shumë Gjendja e Jashtëzakonshme që e përfshin drejtpërdrejt Forcën e Sigurisë së Kosovës e thotë edhe kreu i saj, Rrahman Rama.

“Kjo temë është politizuar shumë. Ne s’jemi ata që e menaxhojmë apo e parandalojmë pandeminë. Shumë njerëz nuk e kuptojnë edhe shpalljen e Gjendjes së Jashtëzakonshme, por ne s’e kemi rolin kryesor. Ne i përkrahim të gjitha institucionet në zbatimin e vendimeve. S’jemi ne akterët kryesorë po me gjithë kapacitetet që i kemi, jemi të gatshëm për të ndihmuar”.

“Si FSK ne jemi të këtij populli dhe nuk bën të keqkuptohet kjo gjë. Gjendja e Jashtëzakonshme shpallet në një moment kur duhet të parandalohen viktimat dhe të mos del situata jashtë kontrollit”.

Rama në Edicionin Special tha se shpreson që të mos ketë nevojë të shfrytëzohen ushtarët e Kosovës, por thotë se ata janë të këtij populli dhe fjalët se ata do të përdorin forcë janë krejtësisht të pavërteta.

“S’do të thotë që ne kemi me përdorë forcë ndaj qytetarëve. Është gabim dhe ata që e thonë këtë s’kanë njohur se çfarë është Gjendja e Jashtëzakonshme. Ne jemi të këtij populli”.

“Çka mund të bëjmë është ta kryejmë një obligim dhe t’i vetëdijësojmë qytetarët që rekomandimet që dalin nga institucionet shëndetësore t’ua sqarojmë qytetarëve se është për të mirën e tyre. Nuk ka logjikë se ne do të përdorim forcë. FSK është e gatshme për çdo situatë që krijohet në vend. Marrim urdhra dhe zbatojmë urdhra”.

Aktualisht në Kosovë janë 2800 ushtarë dhe ushtare aktive që janë në shërbim, por Rama paralajmëroi se shpejt do ta hapët edhe kampanja e rekrutimit edhe për 400 ushtarë të rinj.