Mbyllet Bashkia e Durrësit, nis dezinfektimi pasi një person u prek nga Covid-19

15:49 | 13 Qershor 2020

Infektimi i një prej punonjëseve të Bashkisë së Durrësit me SARS-CoV-2 ka vënë nën alarm të gjithë punonjësit e saj këtë të shtunë.

Shërbimet e higjienës bënë dezinfektimin e të gjitha ambienteve të brendshme të godinës, si masë parandaluese për përhapjen e mëtejshme të koronavirusit.

Drejtues e punonjës të bashkisë, që për shkak të situatës me të cilën po përballet Durrësi që pas tërmetit kanë punuar zakonisht edhe të shtunave, u sprapsën.

Askush nuk u fut në zyra, ndërsa shërbimi epidemiologjik nisi gjurmimin e rasteve të kësaj vatre të re në terren. Specialistja e bashkisë që rezultoi pozitive, pas testit të kryer një ditë më parë, dyshohet se është infektuar nga e bija që punon në bashkinë e Tiranës. Kryeqyteti është kthyer në vatrën më përhapëse të infektimit gjatë ditëve të fundit.

Në Durrës, testit të tamponit po i nënshtrohen të gjithë kontaktet e afërta me punonjësen e infektuar, ndërsa punonjësit e sektorit të Urbanistikës janë vetëkarantinuar në pritje të rezultateve të testit të tamponit. Durrësi numëron 19 raste aktive dhe 7 viktima nga Covid-19./TCH

Shpërndaje në rrjete sociale

Lajmet më të lexuara