Zvicra drejt izolimit? Nëse bëhen 10 milionë banorë, porta “mbyllet” për të gjithë!

22:12 | 10 Dhjetor 2025
E.H

Mbështetja në rritje për partitë e djathta në Europë po i shtyn vendet të ashpërsojnë rregullat për hyrjen e të huajve. Zvicra po shkon edhe më larg, së shpejti mund të votojë për një ligj që vendos kufi për numrin e banorëve të saj.

Siç shkruan Bloomberg, sot Zvicra ka rreth 9 milionë banorë dhe propozohet që nëse vendi kalon 10 milionë, hyrjet e reja do të ndalohen thuajse plotësisht. Kjo do të vlejë për këdo, për të ikurit nga lufta, për punëtorët e kualifikuar dhe për ata që paguhen shumë. Vendim që pritet të hidhet në votim vitin e ardhshëm.

Sondazhet tregojnë se shumë zviceranë mund ta mbështesin. Sipas kundërshtarëve, rreziku është që Zvicra të mbetet pa punëtorë të nevojshëm dhe të dëmtohet ekonomia e saj.

Po pse kërkohet ky cak?
Zvicra ka një ekonomi shumë të fortë dhe kjo ka tërhequr punëtorë nga shumë vende. Aty ndodhen qendra të mëdha bankare, doganore dhe shumë kompani të njohura botërore. Për shkak të rrogave të larta dhe taksave të ulëta, edhe kompani të tjera të mëdha janë vendosur atje.

Popullsia e Zvicrës është rritur për pothuajse 50 vjet me radhë. Banorët ankohen për qira të larta, trafik dhe vende të mbushura në trenë e autobusë. Partia më e madhe e djathtë, SVP, thotë se tashmë ka ardhur koha për të kufizuar rritjen e popullsisë për të ruajtur cilësinë e jetesës zvicerane.

Sa shpejt po rritet popullsia?
Në 10 vitet e fundit, numri i banorëve është rritur në rreth 10%. Në vendet e BE-së rritja ka qenë shumë më e vogël. Pjesa më e madhe e rritjes në Zvicër vjen nga të ardhurit. Lindjet dhe vdekjet kanë ndikim të vogël.

Po a ka gjasa të miratohet ligji?
Po, ka gjasa. Një sondazh i fundit tregoi se pothuajse gjysma e votuesve e mbështesin idenë, ndërsa pjesa tjetër është kundër ose e pavendosur.

Në rast se po, si do të zbatohet kufiri?
Plani ka disa hapa:

Nëse Zvicra arrin në 9.5 milionë banorë, do të kufizohen më shumë kërkesat për azil dhe bashkim familjar.

Ata që janë në vend përkohësisht nuk do të mund të marrin leje të përhershme ose shtetësi.

Nëse popullsia kalon 10 milionë, Zvicra do të tërhiqet nga disa marrëveshje ndërkombëtare që rrisin numrin e të ardhurve.

Nëse pas 2 vitesh numri nuk bie nën 10 milionë, Zvicra do të largohet nga marrëveshja e lëvizjes së lirë me vendet e BE-së. Ky hap mund të ndikojë në punësimin e rreth 1.5 milionë qytetarëve të BE-së që jetojnë në Zvicër dhe në tregtinë e vendit me BE-në, ku shkon më shumë se 40% e mallrave zvicerane.

Si e shohin këtë plan bizneset dhe çfarë pasojash mund të ketë?
Shumë shoqata të biznesit paralajmërojnë se Zvicra do të mbetet pa punëtorë, veçanërisht në zanate dhe profesione të kërkuara.

Ata thonë se deri në vitin 2040 do të mungojnë rreth 430 mijë punëtorë nëse kufizohet hyrja e të ardhurve. Mund të ngadalësohet rritja e ekonomisë, të plaket më shpejt popullsia dhe të vështirësohet tregtia me vendet e BE-së. Mbështetësit e nismës thonë se qiratë dhe shpenzimet publike do të ulen, por kundërshtarët besojnë se dëmi ekonomik do të jetë më i madh./tvklan.al

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme