Zhduket një helikopter turistik pranë një vullkani në Japoni

07:26 | 21 Janar 2026
E.K

Një helikopter turistik me tre persona në bord është zhdukur pranë malit Aso, një nga vullkanet më aktive të Japonisë.

Sipas raportimeve lokale që citojnë policinë, helikopteri u nis nga një kopsht zoologjik në qytetin Aso të martën në orën 10:52 sipas kohës lokale (01:52 GMT) për një tur 10-minutësh, por nuk u kthye më.

Rreth orës 16:00, një helikopter i policisë ka vërejtur një objekt që i ngjan një mjeti ajror brenda kraterit të Nakadakes, një nga pesë majat e malit Aso. Autoritetet ende nuk e kanë konfirmuar nëse bëhet fjalë për helikopterin e zhdukur, raporton BBC, transmeton Sinjali.

Sipas mediave lokale, piloti 64-vjeçar ishte një profesionist me përvojë 40-vjeçare. Pasagjerët ishin një burrë dhe një grua, të dy nga Tajvani.

Helikopteri, një Robinson R44 i prodhimit amerikan, ishte në fluturimin e tretë turistik të ditës kur u zhduk. Sipas operatorit të fluturimeve, kompanisë Takumi Enterprise, dy fluturimet e mëparshme kishin përfunduar pa asnjë problem.

Të martën ishte raportuar mot me vranësira në zonën e Nakadakes, ndërsa operacionet e kërkimit u pezulluan mbrëmjen e së martës dhe rifilluan të mërkurën në mëngjes.

Sipas agjencisë së lajmeve Jiji, Takumi Enterprise ka pezulluar të gjitha fluturimet me helikopterë pas incidentit.

Turët me helikopter mbi peizazhet vullkanike të malit Aso janë ndër atraksionet kryesore turistike të prefekturës Kumamoto, në jugperëndim të Japonisë.

Në vitin 2024, një helikopter turistik i së njëjtës kompani që fluturonte mbi malin Aso ishte detyruar të bënte një ulje emergjente, ku mbetën të lënduar tre personat që ndodheshin në bord.

Mali Aso ka shpërthyer për herë të fundit në tetor të vitit 2021, duke lëshuar një re të madhe tymi në qiell.