Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, deklaroi se Evropa nuk mund të mbetet më “ruajtëse e rendit të vjetër botëror” dhe se Bashkimi Evropian ka nevojë për një politikë të jashtme “më realiste dhe të udhëhequr nga interesat”.
Duke folur të hënën para një audience ambasadorësh të Bashkimit Evropian, ajo theksoi se unioni “do të mbrojë gjithmonë sistemin e bazuar në rregulla”, por shtoi se ai nuk mund të mbështetet më vetëm te ky sistem për të mbrojtur interesat evropiane dhe për të garantuar sigurinë e kontinentit nga kërcënimet.
Von der Leyen theksoi gjithashtu nevojën për një reflektim të thellë mbi mënyrën se si funksionojnë institucionet dhe vendimmarrja në BE. Sipas saj, duhet të vlerësohet nëse doktrina, institucionet dhe mekanizmat e vendimmarrjes, të ndërtuara në një botë të pasluftës të karakterizuar nga stabiliteti dhe multilateralizmi, janë përshtatur me ritmin e ndryshimeve të sotme. Ajo shtroi gjithashtu pyetjen nëse sistemi i ndërtuar mbi konsensusin dhe kompromisin ndihmon apo pengon besueshmërinë e BE-së si aktor gjeopolitik.
Ish-ministrja gjermane e Mbrojtjes, e cila premtoi të drejtojë një “Komision gjeopolitik” kur mori detyrën në vitin 2019, është përballur ditët e fundit me kritika për mënyrën se si ka trajtuar situatën pas luftës me Iran.
Një eurodeputete e njohur dhe ish-ministre franceze, Nathalie Loiseau, kritikoi javën e kaluar diplomacinë telefonike të Von der Leyen me liderët e vendeve të Gjirit pas goditjeve të Shteteve të Bashkuara dhe Izraelit ndaj Iranit. Ajo e akuzoi presidenten e Komisionit se po merrte kompetencat e shefes së politikës së jashtme të BE-së, Kaja Kallas.
Në ditët e para të konfliktit, Von der Leyen deklaroi se ishte urgjent një “tranzicion i besueshëm në Iran”, duke shkuar më tej në qëndrimet e saj se sa Kallas.
Megjithatë, të hënën ajo shmangu kritikat ndaj SHBA-ve dhe Izraelit për nisjen e luftës, duke thënë se debati nëse konflikti ishte “luftë zgjedhjeje apo luftë domosdoshmërie” është një debat që “pjesërisht e humb thelbin e çështjes”. Sipas saj, askush nuk do të derdhte lot për një regjim që “ka masakruar 17 mijë të rinj”, duke iu referuar goditjes së fundit ndaj protestave në Iran, për të cilën disa ekspertë të pavarur besojnë se numri i viktimave mund të jetë edhe më i lartë. Ajo shtoi gjithashtu se Irani ka shkaktuar shkatërrim dhe destabilizim në rajon.
Von der Leyen paralajmëroi se po zhvillohet një konflikt rajonal me “pasoja të paparashikuara”, i cili po ndikon në sektorët e energjisë, financave, tregtisë dhe transportit, si dhe po shkakton zhvendosje masive të popullsisë.
Në një njoftim të veçantë, ajo premtoi ndihmë humanitare të BE-së për 130 mijë persona në Liban dhe shprehu shqetësim për ndikimin e konfliktit në këtë vend fqinj të Izraelit, ku rreth gjysmë milioni njerëz kanë mbetur pa shtëpi ditët e fundit pas bombardimeve izraelite dhe urdhrave për evakuim.
Von der Leyen dhe presidenti i Këshillit Evropian, António Costa, zhvilluan të hënën një takim virtual me liderë dhe ministra të lartë nga Armenia, Bahrein, Egjipti, Iraku, Jordania, Kuvajti, Libani, Omani, Katair, Arabia Saudite, Siria, Turqia dhe Emiratet e Bashkuara Arabe, në atë që Brukseli e përshkroi si një shprehje solidariteti.
Në deklaratën e BE-së pas këtyre bisedimeve, von der Leyen dhe Costa shprehën gatishmëri për të forcuar operacionet detare mbrojtëse Aspides dhe Atalanta, të cilat synojnë mbrojtjen e rrugëve detare dhe parandalimin e ndërprerjeve në zinxhirët e furnizimit në dhe rreth Detit të Kuq.
Misioni Aspides u krijua në vitin 2024 pas sulmeve të rebelëve Houthi ndaj transportit ndërkombëtar detar. Ndërsa operacioni Atalanta, i ngritur në vitin 2008 për të luftuar piraterinë somaleze në rajonin e Bririt të Afrikës, ka zgjeruar ndërkohë fushëveprimin e tij.
Zelensky: 11 vende kërkojnë ndihmën e Ukrainës kundër dronëv...
Parashikimi i motit për nesër
Karbohidratet e shëndetshme
Të shtëna me armë zjarri në Tiranë, plagoset 39-vjeçari nga ...
Pochettino në “radarin” e Real Madridit, si pasu...
Kurti zhvillon telefonatë me Marta Kos: Integrimi në BE, pri...