Ushtarët izraelitë, të mbështetur me helikopterë, kanë vrarë të paktën dy persona të armatosur që kaluan kufirin nga Libani të hënën, tha ushtria. Ky është një sinjal për hapjen e një fronti të ri, përderisa forcat izraelite po vazhdojnë përleshjet me militantët palestinezë të Hamasit në Gaza.
Granatime me artileri dhe të shtëna me armë janë dëgjuar në kufirin jugor të Libanit me Izraelin, afër qytetit Dajra, raportoi televizioni Al-Manar, që është medium i lëvizjes Hezbollah.
Raportohet se grupi i personave të armatosur u afruan pranë kufirit dhe hapën zjarr ndaj ushtarëve izraelitë.
Përmes një deklarate, lëvizja Hezbollah – që ka mbështetjen e Iranit – mohoi përfshirjen në “çfarëdo përleshjeje midis anëtarëve të rezistencës dhe Izraelit armik, apo çfarëdo përpjekjeje për infiltrim” në Izrael.
Ushtria izraelite tha se helikopterët ushtarakë “aktualisht janë duke kryer sulme në zonën” afër kufirit.
Që nga 7 tetori, Izraeli është duke u përleshur me militantët palestinezë të Hamasit, të cilët kryen një sulm masiv nga Gaza.
Më 8 tetor, Hezbollahu mori përgjegjësinë për një sulm me raketa dhe artileri në fermat Sheba, të pushtuara nga Izraeli, duke thënë se është “në solidaritet” me popullin palestinez. Ndaj këtij sulmi, Izraeli u kundërpërgjigj me sulme në Liban.
Izraeli ka shpallur gjendje lufte dhe ka thirrur afër 300.000 rezervistë për të luftuar kundër Hamasit, teksa numri i viktimave në Izrael dhe Gaza ka shkuar mbi 1.000.
Po ashtu, autoritetet izraelite kanë urdhëruar rrethimin e plotë të Gazës, territor i cili udhëhiqet nga Hamasi që nga viti 2007.
Si Hamasi, ashtu edhe Hezbollahu, njihen si organizata terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe fuqitë e tjera perëndimore./ rel/
Haxhiu për 8 Marsin: Çdo arritje e grave është një hap përpa...
Policia e Kosovës: 8 Marsi është zë, barazi, fuqizim dhe sim...
Rama uron gratë shqiptare për 8 Mars: Faleminderit për gjith...
Izraeli sulmon objektet e naftës në Teheran, Irani raporton ...
Barcelona merr një ofertë prej 40 milionë eurosh për njërin ...
Therje me thikë në Mitrovicë të Veriut, arrestohet i dyshuar...