Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, të martën kërcënoi me ndëshkime tregtare, përfshirë taksat, kundër Spanjës, duke thënë se ai nuk është i kënaqur me refuzimin e këtij shteti që t’i rrisë shpenzimet e mbrojtjes në 5 për qind të prodhimit vendës bruto, duke e cilësuar këtë veprim si mungesë respekti ndaj NATO-s.
“Jam shumë i pakënaqur me Spanjën. Është shteti i vetëm që nuk e rriti përqindjen në 5 për qind… prandaj nuk jam i kënaqur me Spanjën” – tha presidenti amerikan para gazetarëve në Shtëpinë e Bardhë, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.
“Po mendoja që t’u jepja ndëshkim tregtar përmes taksave për shkak të asaj që e bënë dhe mendoj se mund ta bëjë këtë” – paralajmëroi Trumpi.
I pari i ShBA-së vazhdimisht i ka shtyrë vendet e NATO-s që të shpenzojnë më shumë në mbrojtje dhe ka hedhur dyshime mbi gatishmërinë e Uashingtonit për t’u dalë në ndihmë aleatëve që nuk shpenzojnë mjaftueshëm.
Javën e kaluar, në një takim me presidentin e Finlandës, Trumpi tha se NATO-ja duhet ta shqyrtojë përjashtimin e Spanjës për shkak të refuzimit të saj që të zotohej për rritjen e shpenzimeve.
Duke e përmendur si arsye rrezikun e paraqitur nga Rusia që nga fillimi i pushtimit të Ukrainës më 2022, vendet e NATO-s kanë argumentuar se zotimi i tyre i mëhershëm për 2 për qind të GDP-së në mbrojtje nuk mjafton më.
Spanja është anëtarja e vetme e aleancës me 32 vende anëtare që nuk është zotuar për t’i çuar shpenzimet ushtarake në 5 për qind të GDP-së.
Kryeministri spanjoll, Pedro Sanchez, kishte siguruar në minutën e fundit një përjashtim për vendin e tij, duke thënë se Spanja do të shpenzonte vetëm deri në 2,1 për qind të GDP-së në mbrojtje, duke e quajtur këtë nivel “të mjaftueshëm dhe realist”.
Spanja, anëtare e NATO-s që nga viti 1982, ka argumentuar se i kompenson shpenzimet e vogla me kontributin e fuqishëm me ushtarë në misionet e NATO-s, përfshirë dislokimet në Letoni, Sllovaki, Rumani, Bullgari dhe Turqi.
A është vërtet më afër se kurrë një marrëveshje paqeje për U...
Barcelona bën detyrën dhe kalon tutje në Kupën e Mbretit
Ludo Lee shpërthen ndaj Albës: Kjo koka e sëmurë o vëlla, de...
Abdixhiku për Agim Veliun: E ka vendin e tij në LDK gjithmon...
Arktiku përjetoi vitin më të nxehtë të regjistruar ndonjëher...
Mbyllet Asambleja e SEPCA-s në Vlorë, Drejtori i Policisë së...