Premier League i refuzon kërkesën Manchester Cityt, Guardiola përballet me kalendar të “çmendur” në maj

17:33 | 28 Prill 2026
D.H

Manchester City do të përballet me një periudhë jashtëzakonisht të ngjeshur në fund të sezonit, pasi Premier League ka refuzuar kërkesën e klubit për ndryshim të kalendarit.

Kjo situatë i shton edhe më shumë presion trajnerit Pep Guardiola, i cili tashmë është në një garë të fortë me Arsenalin për titullin kampion.

Përveç luftës për Premier League, “citizens” do të luajnë edhe finalen e FA Cup më 16 maj në Wembley, ku do të përballen me Chelsean.

Sipas raportimeve nga mediat britanike, Manchester City kishte kërkuar nga liga angleze një riorganizim të ndeshjeve, në mënyrë që të kishte më shumë kohë për rikuperim mes sfidave të rëndësishme. Megjithatë, kjo kërkesë është refuzuar.

“Mirror” ka bërë të ditur se Premier League ka qëndruar e palëkundur në vendimin e saj, ndërsa edhe vet liga ka konfirmuar oraret e javës së 37-të dhe ndeshjet e shtyra të Cityt.

Në javët në vijim, skuadra e Guardiolës do të ketë një agjendë shumë të ngjeshur: fillimisht do të luajë ndaj Evertonit në fundjavë, më pas pret Brentfordin, përpara se të zhvillojë finalen e FA Cup dhe dy ndeshjet e prapambetura ndaj Crystal Palace dhe Bournemouth.

Si pasojë, Manchester City do të zhvillojë katër ndeshje brenda vetëm 12 ditësh:

  • City – Brentford (9 maj)
  • City – Crystal Palace (13 maj)
  • Chelsea – City, finalja e FA Cup (16 maj)
  • Bournemouth – City (19 maj)

Raportohet se klubi kishte kërkuar që ndeshjet ndaj Crystal Palace dhe Bournemouth të riorganizoheshin për të krijuar një ritëm më të favorshëm, por kjo nuk është pranuar.

Vendimi i Premier League vjen edhe për shkak të presionit nga klubet e tjera.

Sipas BBC Sport, të paktën tre skuadra janë shprehur të pakënaqura me tentativën e Cityt për të ndryshuar kalendarin në favor të tyre. Ndërkohë, “The Independent” raporton për tensione dhe reagime negative në diskutimet mes klubeve.

Situatën e ka komplikuar edhe fakti që Crystal Palace është ende në garë në Conference League, ku synon finalen ndaj Shakhtar Donetsk. Për këtë arsye, ndeshja mes Cityt dhe Palace do të zhvillohet vetëm tri ditë para finales së FA Cup.

Me një kalendar të tillë të ngarkuar, mbetet të shihet nëse Manchester City do të arrijë të përballojë ritmin dhe të ruajë shanset për trofe në fund të sezonit.

Shpërndaje në rrjete sociale