India dhe Pakistani kanë arritur një marrëveshje për armëpushim të plotë dhe të menjëhershëm, duke i dhënë fund tensioneve të rrezikshme që kishin shkaktuar shqetësim global.
Lajmin e ka bërë të ditur Presidenti amerikan Donald Trump, përmes një postimi në rrjetet sociale.
Trump njoftoi se marrëveshja u arrit pas një nate të gjatë bisedimesh intensive, të ndërmjetësuara nga Shtetet e Bashkuara. Ai e cilësoi këtë zhvillim si një fitore të diplomacisë dhe një hap domethënës drejt paqes dhe stabilitetit në rajon.
“Pas një nate të gjatë bisedimesh të ndërmjetësuara nga Shtetet e Bashkuara, kam kënaqësinë të njoftoj se India dhe Pakistani kanë rënë dakord për një ARMËPUSHIM TË PLOTË DHE TË MENJËHERSHËM. Urime të dy vendeve për përdorimin e Arsyes së Shëndoshë dhe Inteligjencës së Lartë. Faleminderit për vëmendjen ndaj kësaj çështjeje”, tha ai.
Marrëveshja vjen në një kohë kur përplasjet midis dy fuqive bërthamore kishin ngjallur frikë për një përshkallëzim të mundshëm ushtarak.
Ndryshe, tensionet mes dy fuqive bërthamore janë rritur ndjeshëm që pas një sulmi më 22 prill në një zonë turistike në Kashmirin e kontrolluar nga India, ku mbetën të vrarë 26 civilë, kryesisht turistë hindu nga India.
Qeveria e Indisë fajësoi Pakistanin për mbështetjen e këtij sulmi, por Islamabadi e ka mohuar përfshirjen.
India dhe Pakistani, të cilët fituan pavarësinë nga Britania në vitin 1947, kanë zhvilluar tri luftëra të plota në vitet 1948, 1965 dhe 1971, si dhe një konflikt të kufizuar në vitin 1999.
Çështja kryesore mbetet lugina e Kashmirit, të cilën India e konsideron pjesë të pandashme, ndërsa Pakistani e sheh si “çështje të papërfunduar të ndarjes” të nënkontinentit indian./Arbresh.info
Me këto katër shenja të horoskopit do ta keni vështirë: Mbre...
Guerot e Rohde bëjnë thirrje për kompromis në krijimin e ins...
Rizvanolli: Bizneset s’u përgatitën për liberalizim të energ...
Krasniqi i kërkoi 19 votat e LDK-së për ta bërë shumicën, Mu...
Ushtarët e FSK-së stërviten krah atyre amerikanë
Ledri Vula dhe Era Istrefi rikthehen me bashkëpunim të ri – ...