Trump telefonatë me Putinin, njofton se ranë dakord të fillojnë ‘negociatat’ për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë

Flags of the USA, Russia, Ukraine on black background. Relations between Ukraine and Russia, sanctions and the concept of war mediated by the United States.Concept political conflicts between nations.

20:11 | 12 Shkurt 2025
Q L

Presidenti Donald Trump tha se ai dhe Presidenti rus Vladimir Putin ranë dakord gjatë një telefonate të mërkurën që të fillojnë “negociatat” për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë dhe se do të “bashkpunojnë ngushtë” për t’i dhënë fund konfliktit.

“Secili folëm për fuqitë e vendeve tona dhe përfitimet e mëdha që do të kemi një ditë duke punuar së bashku”, deklaroi Presidenti Trump në një postim në rrjetet sociale, ku dha detaje për telefonatën që u realizua pas shkëmbimit të të burgosurve ndërmjet dy vendeve. “Por fillimisht, siç ramë dakord të dy, duam të ndalim vdekjet e miliona njerëzve që po ndodhin në luftën Rusi/Ukrainë”.

Presidenti republikan tha se udhëheqësit gjithashtu “ranë dakord që ekipet tona të fillojnë menjëherë negociatat”.

Presidenti Trump po ashtu zhvilloi një telefonatë të mërkurën me Presidentin e Ukrainës, Volodymyr Zelensky.

Zyrtarët e Shtëpisë së Bardhë nuk pranuan të sqarojnë nëse Ukraina do të jetë pjesëmarrëse në negociatat e Shteteve të Bashkuara me Rusinë.

Thirrja erdhi pas këmbimit të burgosurve, gjatë të cilit Rusia liroi mësuesin amerikan Marc Fogel nga Pensilvania, pas tre vitesh qëndrimi në burg nën akuzat për posedim droge. Alexander Vinnik, një kriminel i dënuar rus, po lirohet në këmbim të zotit Fogel nga Rusia, sipas burimeve në dijeni të marrëveshjes që folën me kusht të mos identifikoheshin.

Vinnik u arrestua në vitin 2017 në Greqi me kërkesën e autoriteteve amerikane nën akuzat për mashtrim me kriptovaluta. Ai më vonë u ekstradua në Shtetet e Bashkuara ku pranoi fajin për pjesëmarrje në komplot për pastrim parash. Ai për momentin ndodhet në burg në Kalifoni, duke pritur transportin për t’u kthyer në Rusi, sipas zyrtarëve.

Ndërkohë në Moskë, Kremlini po ashtu njoftoi për bisedën telefonike ndërmjet zotit Putin dhe Presidentit Trump. Sipas zyrtarëve rusë, dy udhëheqësit biseduan për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë, ranë dakord për t’u takuar në të ardhmen dhe zoti Putin e ftoi Presidentin Trump në Moskë.

Presidenti Putin foli për herë të fundit me një president amerikan në shkurt të vitit 2022 kur pati edhe telefonatën me Presidentin Joe Biden pak pas të cilës urdhëroi futjen e mijëra trupave në Ukrainë.

Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov tha se zoti Putin dhe zoti Trump diskutuan mbi Lindjen e Mesme, marrëdhëniet dypalëshe, Ukrainën, këmbimin e të burgosurve ndërmjet Uashingtonit dhe Moskës, sipas agjencisë shtetërore ruse të lajmeve Tass.

“Presidenti rus ftoi presidentin amerikan për vizitë në Moskë dhe u shpreh i gatshëm të presë zyrtarë amerikanë në Rusi në fushat e interesit të përbashkët, përfshirë, natyrisht, edhe çështjen mbi një zgjidhje për Ukrainën”, deklaroi zëdhënësi Peskov.

“Putini dhe Trumpi gjithashtu u pajtuan të vazhdojnë kontaktet personale, përfshirë aranzhimin e një takimi ballë për ballë”, tha ai.

Presidenti Trump, autor i librit të botuar në vitin 1987 “Trump: Arti i Marrëveshjes”, vazhdimisht ka deklaruar se dëshiron një përfundim të liftës dhe se ai do ta takonte Putinin për ta diskutuar atë, ndonëse data apo vendi i takimit ende nuk janë bërë të ditura./voa/

Shpërndaje në rrjete sociale