Trump nuk e përjashton mundësinë e krijimit të shtetit palestinez

23:44 | 9 Tetor 2025
E.G

Presidenti amerikan Donald Trump ka lënë të hapur mundësinë e krijimit të një shteti palestinez në të ardhmen, duke thënë se “mund të arrijmë deri aty”, raporton BBC nga Shtëpia e Bardhë.

Reporteri i BBC-së që ndodhej në Zyrën Ovale, vetëm disa metra larg Trumpit dhe homologut të tij finlandez Alexander Stubb, shkruan se pjesa më e madhe e bisedës mes dy liderëve ishte përqendruar tek Rusia e Vladimir Putinit, por që edhe Gaza ishte temë diskutimi.

I pyetur për mundësinë e një shteti palestinez, që parashihet në planin me 20 pika nëse plotësohen kushtet e duhura, Trump u përgjigj:
“Do të shohim si do të shkojnë gjërat. Ka një moment kur mund të bëjmë diçka paksa ndryshe, dhe ndoshta shumë pozitive për të gjithë. Mendoj se do të arrijmë deri aty.”

Në takim u përmend edhe mundësia që Trump të nominohet për Çmimin Nobel për Paqe. Presidenti finlandez Stubb tha se “nominimi më i mirë do të vinte nga Zelensky dhe Mbreti i Jordanisë”, duke shtuar se “rezultatet e Presidentit të Shteteve të Bashkuara janë mbresëlënëse”, raporton BBC.

Trump i ftuar të mbajë fjalim para Parlamentit të Izraelit

BBC raporton se kryetari i Knessetit, Amir Ohana, ka konfirmuar ftesën për Trumpin që të mbajë një fjalim para parlamentit izraelit.

“Është nderi dhe privilegji im i madh të ftoj mikun dhe aleatin më të madh të popullit hebre në historinë moderne për të mbajtur një fjalim para kombit në Knesset,” ka deklaruar Ohana, duke e quajtur Trumpin “Presidentin e Paqes.”

Trump ka pranuar ftesën dhe ka thënë se “ndoshta” do të udhëtojë drejt Lindjes së Mesme të dielën. Zyra e Knessetit ka sqaruar se Trump do të jetë presidenti i parë amerikan që do të flasë para parlamentit izraelit që nga George W. Bush në vitin 2008.

Të ngjashme