Trazira në Francë, 473 persona të ndaluar gjatë protestave

22:32 | 10 Shtator 2025
E.G

Franca u përball me trazira kombëtare të mërkurën, me protestues që bllokuan rrugët, vunë zjarre dhe u përplasën me policinë, e cila përdori gaz lotsjellës. Ministria e Brendshme njoftoi se 473 persona u ndaluan, ndërsa 80,000 policë ishin vendosur në të gjithë vendin, përfshirë 6,000 në Paris. Rreth 100 shkolla u prekën, 27 prej tyre u bllokuan plotësisht.

Protestat ndodhën teksa kryeministri i ri, Sébastien Lecornu, mori detyrën, pas emërimit nga presidenti Emmanuel Macron. Lecornu, ish-ministër i Mbrojtjes, zëvendëson François Bayrou-n, i cili u largua pas humbjes së votës së besimit në parlament për planet e tij të papopullarizuara për të kufizuar deficitin.

Protestat – të planifikuara muaj më parë – synojnë klasën politike dhe qeverinë e Macron. Aktivistët bllokuan rrugë kryesore në qytete si Bordeaux, Rennes, Nantes dhe Caen, ndërsa në Paris, protestues të rinj u mblodhën pranë stacionit Gare du Nord dhe në qendër të qytetit, raporton CNN.

Grupi i quajtur “Blloko gjithçka” ka lindur në maj si një lëvizje e bazuar në rrjetet sociale dhe tani udhëhiqet nga e majta dhe e majta ekstreme. Një grevë dhe protestë më e madhe kombëtare është planifikuar më 18 shtator, me pjesëmarrjen e të gjitha sindikatave.

Protestuesit shprehen zemërim ndaj qeverisë dhe buxhetit 2026, duke thënë se synon shkatërrimin e sistemit publik dhe dëmton më së shumti njerëzit më të varfër./rtk

Të ngjashme