Google ADS

Temperaturat e larta/ Greqia mbyll disa aktraksione turistike

07:42 | 13 Qershor 2024
E.G

Akropoli, një nga monumentet më të famshme të Greqisë, do të mbyllet për turistët gjatë pjesës më të nxehtë të ditës, të mërkurën, pasi një valë e nxehtë ka “pushtuar” kryeqytetin e vendit.

Vendi i njohur turistik, i cili tërheq vizitorë nga e gjithë bota, do të mbyllë dyert e tij midis orës 12:00 dhe 17:00, sipas kohës lokale. Kjo sepse të mërkurën termometri pritet të shënojë 40 gradë.

E ndërtuar në një kodër të pjerrët shkëmbore, vendi i listuar në UNESCO është veçanërisht i ekspozuar ndaj nxehtësisë.

Mbyllja e Akropolit është kthyer në një trend të përvitshëm, pasi Greqia, së bashku me shumë vende të tjera evropiane, vazhdon të përjetojë vera të nxehta.

Vala aktuale e të nxehtit në rajon duket se do të vazhdojë deri të enjten, sipas Shërbimit Meteorologjik Kombëtar Helen, i cili ka lëshuar një paralajmërim portokalli për nxehtësinë, përcaktimi i dytë më serioz.

Temperaturat e larta po ngjallin frikën për një tjetër verë shumë të nxehtë përpara për disa pjesë të Evropës, duke rritur rreziqet e një sezoni shkatërrues të zjarreve dhe duke kërcënuar shëndetin e njerëzve.

Nxehtësia është një nga rreziqet natyrore më vdekjeprurëse, më shumë se 61 000 njerëz vdiqën gjatë valës së të nxehtit rekord të Evropës në vitin 2022.

Një kombinim i ndryshimeve klimatike të shkaktuara nga njeriu dhe ardhja e fenomenit klimatik natyror, El Niño, i cili ka një efekt të ngrohjes globale, ndihmoi në shtytjen e temperaturave, verën e kaluar, në nivele rekord në pjesë të Evropës, kontinenti që ngrohet më shpejt në planet./abcnews.al/

Shpërndaje në rrjete sociale