Spanja i përgjigjet Trumpit pas kërcënimit për ndërprerje të tregtisë

22:14 | 3 Mars 2026
E.H

Qeveria spanjolle ka reaguar ndaj deklaratave të ashpra të presidentit amerikan, Donald Trump, i cili kërcënoi me ndërprerje të marrëdhënieve tregtare dhe kritikoi Spanjën për qëndrimin e saj lidhur me përdorimin e bazave ushtarake.

Në një qëndrim zyrtar, ekzekutivi në Madrid theksoi se çdo rishikim i raporteve tregtare me Shtetet e Bashkuara duhet të bëhet në përputhje me të drejtën ndërkombëtare, autonominë e kompanive private dhe marrëveshjet ekzistuese mes Bashkimi Evropian dhe SHBA-së.

Autoritetet spanjolle rikujtuan se Spanja është një kontribuuese e rëndësishme në NATO, duke përmbushur detyrimet e saj dhe duke luajtur rol kyç në sigurinë e Evropës. Reagimi vjen pasi Trump deklaroi se SHBA mund të shfrytëzojë bazat spanjolle “nëse nevojiten për Iranin”, pavarësisht miratimit të palës pritëse.

Sipas burimeve zyrtare, Madridi e konsideron veten një fuqi eksportuese të BE-së dhe partner të besueshëm për qindra vende, përfshirë SHBA-në, me marrëdhënie historike të ndërsjellta dhe përfitime reciproke.

Qeveria shtoi se ka instrumentet për të zbutur çdo ndikim të mundshëm negativ, për të mbështetur sektorët e prekur dhe për të diversifikuar zinxhirët e furnizimit.

Megjithatë, mesazhi përfundimtar nga Madridi mbetet i qartë: prioritet është mbrojtja e tregtisë së lirë dhe bashkëpunimit ekonomik ndërkombëtar, mbi bazën e respektit të ndërsjellë dhe rregullave të së drejtës ndërkombëtare.

Presidenti amerikan, Donald Trump ka kërcënuar se “do të pezullojë të gjitha marrëdhëniet tregtare me Spanjën”, duke thënë se SHBA-ja nuk dëshiron të ketë asgjë me këtë vend.

Ai e bëri këtë deklaratë gjatë një takimi në Shtëpinë e Bardhë me kancelarin gjerman, Friedrich Merz, pas sulmeve të SHBA-së dhe Izraelit ndaj Iranit.

Ai kritikoi qeverinë spanjolle për refuzimin e lejes që forcat amerikane të përdorin bazat ushtarake spanjolle për operacionet e tilla, duke i quajtur veprimet e tyre “shumë jo miqësore”.

Duke komentuar për bazat ushtarake, Trump tha se SHBA-ja mund t’i përdorë ato edhe pa lejen e Spanjës dhe se askush nuk do t’i ndalojë, duke nënkuptuar një qëndrim të ashpër mbi sovranitetin e tyre.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme