Shtëpia e Bardhë e ka konfirmuar publikisht të enjten se Rusia e ka siguruar një armë “shqetësuese” antisatelitore, por tha se ajo nuk mund t’i shkaktojë “shkatërrim të drejtpërdrejtë fizik” Tokës.
Zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, John Kirby, tha se zyrtarët e inteligjencës amerikane kanë të dhënat se Rusia e ka siguruar këtë armë, por shtoi se një armë e tillë nuk është ende funksionale.
Zyrtarët amerikanë janë duke i analizuar të dhënat që i kanë siguruar për këtë armë të re teknologjike dhe janë konsultuar me aleatët dhe partnerët e vet për këtë çështje.
“Së pari, kjo nuk është një armë aktive dhe, megjithëse përpjekjet e Rusisë për ta pasur këtë armë specifike janë shqetësuese, ajo nuk përbën rrezik të menjëhershëm për sigurinë e të tjerëve”, tha Kirby.
“Ne nuk po flasim për një armë e cila mund të përdoret për t’i sulmuar njerëzit, apo për të shkaktuar dëme fizike në Tokë”, shtoi ai.
Rusia i ka hedhur poshtë shqetësimet e SHBA-së për këtë armë.
Në Moskë, zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, i përshkroi raportimet për armën e re të Rusisë si mashtrim për ta bërë Kongresin amerikan të mbështet projektligjin për ndihmë për Ukrainën.
“Është e qartë se Uashingtoni po tenton ta detyrojë Kongresin të votojë për projektligjin për ndihmë në çdo mënyrë”, tha Peskov.
“Ta shohim se çfarë mashtrimi do të përdorë Shtëpia e Bardhë”, shtoi ai.
Kjo armë është me bazë në hapësirë dhe do ta shkelte traktatin e hapësirës ndërkombëtare, të cilin e kanë nënshkruar më shumë se 130 vende, përfshirë Rusia.
Shtëpia e Bardhë tha se do të kërkojë të bisedojë me rusë drejtpërdrejt për këtë çështje./REL
Hajnat depërtojnë me forcë brenda një shtëpie në Gjakovë, vj...
Theret me thikë një person në Prishtinë
Rrahje mes pesë personave në Vushtrri, dy prej tyre bëhen pë...
Tre persona sulmojnë katër zyrtarë policorë në Pollatë të Po...
Zhduket një e mitur në Prishtinë
18 vjet nga tragjedia e Gërdecit