Ministria e Drejtësisë në Maqedoninë e Veriut ka kërkuar nga autoritetet turke që ta mbajnë në paraburgim të dyshuarin kryesor për vrasjen e vajzës 14-vjeçe në Shkup dhe të një 74-vjeçari në qytetin e Velesit deri sa të përfundojnë procedurat për ekstradimin e tij.
Zyra e Ministrit të Drejtësisë, Krenar Lloga njofton se ai e ka nënshkruar kërkesën për ekstradim që do t’i dërgohet Ministrisë turke të Drejtësisë. Shkupi pret që Ankaraja të veprojë me shpejtësi në përgjigje të kërkesës.
Maqedonia e Veriut dhe Turqia kanë një marrëveshje të përbashkët për ekstradim. Pasi të miratohet ekstradimi, do të merret një vendim për kohën dhe mënyrën e transferimit të të dyshuarit, Lupço Palevski.
Palevski u kap dje pasdite në qytezën Balikesir, në jug të Stambollit. Ai fillimisht ishte arratisur në Serbi, duke thënë se i duhej të shkonte për arsye shëndetësore. Avokati i tij deklaroi në polici se nuk kishte njohuri për përfshirjen e klientit të tij në vrasje.
Më pas, i dyshuari, sipas njoftimeve të organeve të rendit është larguar prej atje përmes Bullgarisë në drejtim të Turqisë. Aktualisht, pesë persona janë të dyshuar për veprën e vrasjes apo ndihmën në vrasjen e Vanja Gjorçevskës, përfshirë babain e saj, Aleksandar Gjorçevski i cili dyshohet se i kishte dhënë informata të akuzuarit kryesor Palevski lidhur me lëvizjet e vajzës së tij.
Ajo u rrëmbye më 27 nëntor në hyrje të ndërtesës ku banonte në qendër të Shkupit. Autoritetet njoftuan se vajzës i kishin lidhur duart dhe këmbët, e kishin futur në një thes dhe në bagazhin e makinës për ta dërguar pranë fshatit Brazdë në veri të Shkupi. Organet hetuese thonë se pas rreth tre orësh nga rrëmbimi, 14-vjeçarja ishte ekzekutuar me revole.
Vetura ishte pronë e Pençe Zhezhovskit, një berber 74 vjeçar, po ashtu i ekzekutuar më 24 nëntor nga Lupço Palevski. Prokuroria thotë se viktima u vra për një borxh prej 500 eurosh.
Procedurat e autopsisë kanë përfunduar, por të dhëna konkrete nuk janë bërë të ditura për publikun. Babai i vajzës ka mohuar përfshirjen në vrasjen e saj, ndërkaq njëri nga të arrestuarit ka pranuar pjesëmarrjen në këtë vepër të rëndë. Të arrestuarve u është caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej 30 ditësh.
Sipas dyshimeve të policisë, motivi i rrëmbimit dhe vrasjes së Vanja Gjorçevskës mund të jetë përfitimi material, apo zhvatja e parave nga nëna e saj që kishte shitur së fundmi një banesë të trashëguar prej prindërve të saj. Dy prindërit e vajzës ishin të divorcuar.
Ky rast ka tronditur opinionin e gjerë publik në Maqedoninë e Veriut. Dënimet me vdekje nuk ekzsitojnë në vend, ndërsa ekspertët presin nga gjykatat të japin dënime maksimale për autorët e kësaj vepre të rëndë./VOA
56 aksidente trafiku në 24 orët e fundit në Kosovë
Kallas: SHBA dhe Evropa duhet të qëndrojnë të bashkuara
Angela Martini rrëfen ‘puthjen’ me Donald Trump dhe divorcin...
Libohova tërheq turistë edhe në dimër, vizitorët kërkojnë të...
Sulm fizik gjatë një ahengu në Leposaviq, viktima dërgohet p...
24 vjet nga lirimi i Albin Kurtit nga burgu i Nishit