SHBA sekuestron anije iraniane, paralajmërohen bisedime të reja SHBA–Iran

16:23 | 20 Prill 2026
E.G

Presidenti amerikan Donald Trump ka deklaruar se forcat amerikane kanë sulmuar dhe sekuestruar një anije mallrash iraniane, e cila sipas tij po përpiqej të kalonte bllokadën e porteve të Iranit.

Trump tha se anija është ndaluar pasi ekuipazhi nuk iu bind urdhrave për t’u ndalur, duke shtuar se Marina amerikane ndërhyri dhe e ndaloi atë “duke hapur një vrimë në dhomën e motorit”.

Ndërkohë, mediat iraniane raportojnë se dronë kanë sulmuar anije amerikane, por pa konfirmuar dëme të raportuara.

Në të njëjtën kohë, pritet që në Pakistan të zhvillohen bisedime paqeje mes SHBA-së dhe Iranit, me delegacionin amerikan të udhëhequr nga zëvendëspresidenti JD Vance. Megjithatë, Irani nuk ka konfirmuar ende zyrtarisht pjesëmarrjen, ndërsa një zëdhënës iranian ka deklaruar se “nuk ka plane për raundin tjetër të negociatave”.

Bisedimet pritet të trajtojnë çështje të ndjeshme si kontrolli i rezervave të uraniumit iranian dhe situata në Ngushticën e Hormuzit, një zonë strategjike për furnizimin global me energji, ku tensionet kanë mbetur të larta.

Sipas raportimeve, armëpushimi dyjavor mes SHBA-së dhe Iranit pritet të përfundojë të mërkurën, ndërsa Presidenti Trump ka paralajmëruar se SHBA mund të godasë objektiva strategjike iraniane nëse nuk arrihet marrëveshje.

Në rajon mbetet e tensionuar edhe situata mes Izraelit dhe Libanit, pas një armëpushimi të njoftuar më 16 prill. Sipas marrëveshjes, Libani duhet të ndërmarrë hapa për të penguar sulmet nga Hezbollahu dhe grupet e tjera të armatosura, ndërsa ushtria izraelite ka paralajmëruar kufizime të lëvizjes në zonat jugore të vendit.

Izraeli ka deklaruar gjithashtu krijimin e një “zone tampon” në Libanin jugor, me qëllim mbrojtjen nga sulmet me raketa të Hezbollahut./rtk