Presidenti Joe Biden njoftoi të enjten se i ka kërkuar ushtrisë amerikane të ndërtojë një port të përkohshëm në brigjet e Rripit të Gazës. Kjo është pjesë e përpjekjeve ndërkombëtare për krijimin e një rrugë detare të dërgimit të ushqimit dhe ndihmave të tjera, ndërsa zyrtarë të OKB-së dhe Shteteve të Bashkuara paralajmërojnë se civilët palestinezë, të bllokuar nga lufta Izrael-Hamas, së shpejti mund të vuajnë nga uria.
“Kam udhëzuar ushtrinë amerikane të udhëheqë një mision emergjent për të ndërtuar një port të përkohshëm në Mesdhe në bregdetin e Gazës, ku mund të ankorohen anije të mëdha që transportojnë ushqim, ujë dhe ilaçe. Asnjë çizme (ushtarë) amerikane nuk do të jetë në terren. Një port i përkohshëm do të mundësonte një rritje masive të sasisë së ndihmës humanitare që hyn në Gaza çdo ditë”, tha Presidenti Biden në fjalimin e tij për gjendjen e vendit.
Njoftimi sinjalizon thellimin e mëtejshëm të përfshirjes së Shteteve të Bashkuara në konflikt dhe përshkallëzimin e tensioneve dhe luftimeve në rajon. Kjo gjithashtu është një shenjë se administrata e Presidentit Biden po përdor një zgjidhje të pazakontë për të dërguar ndihma për 2.3 milionë banorët e Gazës, ndërsa merret me kufizimet që aleati i Shteteve të Bashkuara, Izraeli ka vendosur mbi dërgesat e ndihmave tokësore, dhe me kritikat në rritje ndaj vetë Uashingtonit për mënyrën se si po trajtohet ky konflikt.
Ndërkohë, shpresat për arritjen e një armëpushimi përpara muajit të Ramazanit, i cili fillon më 10 mars, duket se janë venitur. Hamasi tha të enjten se delegacioni i tij ishte larguar nga Kajro, ku po zhvilloheshin bisedimet. Korniza e armëpushimin parashikonte një plan për dërgimin e ndihmave në Rripin e Gazës.
Një krizë humanitare e zgjeruar në të gjithë Gazën gjatë pesë muajve të luftës dhe kontrolli i rreptë nga Izraeli i kamionëve me ndihma ka lënë pothuajse të gjithë popullsinë me mungesa të mëdha ushqimore, thonë zyrtarët e OKB-së. Punonjësit shëndetësorë në Gazën veriore javën e kaluar raportuan 15 fëmijë të vdekur nga uria atje dhe gjashtë fëmijë të tjerë në prag të vdekjes.
Në një takim me ambasadorin izraelit në Uashington, drejtorja e Agjencisë Amerikane të Zhvillimit Ndërkombëtar, Samantha Power, paralajmëroi se Gaza e bllokuar “përballej me një rrezik të vërtetë nga uria”, tha zyra e saj të enjten.
Izraeli akuzon Hamasin për kontrollimin një pjese të ndihmave humanitare.
Zyrtarët amerikanë, të cilët folën në kushte anonimiteti, thanë se operacioni i planifikuar për ndërtimin e portit të përkohshëm nuk parashikon dërgimin e trupat amerikane në terren për ta bërë këtë. Ndërtimi i portit të përkohshëm ka për qëlllim të lehtësojë transferimin e më shumë ndihmave ushqimore, ilaçeve dhe gjërave të tjera thelbësore nga një port i Qipros në Mesdhe.
Zyrtarët amerikanë thanë se mund të duhen disa javë përpara se porti i përkohshëm të funksionojë.
Një nga opsionet që po shqyrtohet është dërgimi nga ushtria i një skele lundruese, të quajtur “JLOTS”, tha një zyrtar tjetër amerikan në kushte anonimiteti. Një port i madh lundrues eliminon nevojën e dislokimit të trupave në bregdet. Anijet mund të lundrojnë në skelë, e cila mund sigurohet nga spirancat, dhe të ankorohen atje.
Zëdhënësi i Departamentit të Mbrojtjes, Gjeneral Majori Pat Ryder tha në një deklaratë të enjten se zyrtarët e Shteteve të Bashkuara dhe partnerët ndërkombëtarë po shqyrtonin një numër alternativash, duke përfshirë përdorimin e kompanive tregtare dhe kontraktorëve për të ndihmuar në dërgimin e portit të përkoshëm.
Zyrtarë nga Shtetet e Bashkuara, Evropa, Izraeli dhe Lindja e Mesme janë tashmë të përfshirë në diskutime dhe përgatitje për mundësinë e hapjes së një rruge detare për dërgimin e ndihmave humanitare në Rripin e Gazës./voa
Ura për këmbësorë mbi lumin Ibër nga nesër lëshohet për qark...
“Po du me të këqyr”, Klodi skuq Benitën
Përplaset për vdekje këmbësori në Krujë, shoqërohet në komis...
Ushtria amerikane: Tetë të vrarë nga sulmet e fundit ndaj an...
“E mallkoj ditën kur jemi takuar”, Londrimi ngacmon Edin dhe...
Bislimi publikon letrën nga BE: Komisioni ka vendosur për he...