Departamenti Amerikan i Thesarit njoftoi të premten se i ka hequr nga lista e sanksioneve katër aleatë të ish-presidentit të entitetit serb të Bosnjës, Millorad Dodik.
Ky vendim u përshëndet nga vetë Dodik, i cili po e zhvillon një fushatë për t’i hequr sanksionet amerikane kundër tij.
Dodik është sanksionuar nga SHBA-ja dhe Britania për pengimin e zbatimit të marrëveshjes së Dejtonit për paqe, e cila i dha fund luftës në Bosnje në vitet ‘90, si dhe nga disa vende evropiane që thonë se politikat e tij separatiste rrezikojnë paqen dhe stabilitetin në Bosnje.
Dodikut iu hoq mandati si president i entitetit serb të Bosnjës nga Komisioni Qendror Zgjedhor i Bosnjës, pasi Gjykata e Apelit e Bosnjës e mbajti në fuqi dënimin e ndaj tij nga shkurti me një vit burgim dhe me ndalim të ushtrimit të detyrës për gjashtë vjet.
Ai u dënua për mosrespektim të vendimeve të përfaqësuesit të lartë të bashkësisë ndërkombëtare në Bosnje, i vendosur për të parandaluar kthimin e vendit në dhunë etnike.
Jellena Pajiq Bastinaq, Danijel Dragiçeviq, Goran Rakoviq dhe Dijana Millankoviq u sanksionuan në janar për shkak se ndihmuan në organizimin e festimeve të paligjshme të “Ditës së Republikës Sërpska”, të cilën serbët e Bosnjës e shënuan më 9 janar.
Ata e sfiduan vendimin e gjykatës më të lartë të Bosnjës, e cila ndaloi këtë festë si antikushtetuese, si dhe paralajmërimet e vëzhguesve perëndimorë të paqes.
Zyra Amerikane për Kontrollin e Pasurive të Huaja (OFAC) nuk dha shpjegime pse këta katër persona u hoqën nga lista e sanksioneve.
Dodik, i cili ka angazhuar disa lobistë në SHBA për të ndihmuar në heqjen e sanksioneve ndaj tij, tha se sanksionet ishin të motivuara politikisht./rel
Trump: Irani më mirë të mos i detyrojë të paguajnë anijet që...
NASA: Artemis II drejt kthimit në shtëpi, ekuipazhi do të zb...
Rutte: Vendet aleate të ngadalta në mbështetje të SHBA-së pë...
Muriqi tregon nëse do të pensionohet nga Kombëtarja e Kosovë...
Graçanica ankohet se iu hoqën flamujt serbë me vendim të min...
Hoxhaj: PDK nuk dëshiron zgjedhje, fati i Presidentit varet ...