Zyrtarë amerikanë i thanë Radios Evropa e Lirë më 6 mars se Rusia po i ofron Iranit informacione për shënjestrim për të sulmuar trupat amerikane dhe asetet ushtarake në Lindjen e Mesme, duke konfirmuar një raport të gazetës Washington Post që sugjeron se Moska po luan një rol të rëndësishëm, megjithëse të tërthortë, në konfliktin rajonal që po zgjerohet.
Bashkëpunimi i pretenduar vjen në një moment shumë delikat për marrëdhëniet SHBA-Rusi, me rivalët e armatosur me armë bërthamore në kundërshtim mes vete për shkak të pushtimit rus të Ukrainës dhe përpjekjeve të Uashingtonit për t’i dhënë fund asaj lufte, të cilat po përballen me refuzimin e Kremlinit, deri më tani, për të bërë lëshime lidhur me territorin dhe çështje të tjera.
Raporti i Post, që citon tre zyrtarë të njohur me inteligjencën, thotë se Moska i ka ofruar Teheranit vendndodhjet e aseteve ushtarake amerikane — përfshirë anije luftarake dhe avionë — që nga fillimi i konfliktit më 28 shkurt, me sulmet ajrore të SHBA-së dhe Izraelit kundër Iranit. Njëri prej tyre i tha gazetës se dukej si “një përpjekje mjaft gjithëpërfshirëse” nga ana e Moskës.
Zyrtarët amerikanë, duke folur në kushte anonimiteti, nuk dhanë më shumë detaje për REL-in lidhur me shtrirjen ose mekanizmat e ndarjes së inteligjencës.
Rusia dhe Irani kanë lidhje të kahershme ushtarake, politike dhe diplomatike. Irani i ka furnizuar Rusisë një numër të madh dronësh Shahed që përdoren për të goditur qytete dhe infrastrukturë në Ukrainë, megjithëse Rusia tani, në pjesën më të madhe, përdor teknologjinë për të prodhuar dronë në territorin e vet.
Ambasada ruse në Uashington nuk iu përgjigj menjëherë kërkesave për koment. Zyrtarët rusë kanë bërë thirrje publikisht për t’i dhënë fund luftës, duke e përshkruar atë si një “akt të paprovokuar të agresionit të armatosur” kundër Iranit.
Presidenti rus, Vladimir Putin, foli me presidentin iranian, Masud Pezeshkian, më 6 mars dhe përsëriti thirrjen e Moskës për një “fund të menjëhershëm të veprimeve ushtarake”, tha Kremlini.
Hamza uron 7 Marsin: Mirënjohje për të gjithë mësimdhënësit
Peleshi urim në Ditën e Mësuesit: Mirënjohje për ata që form...
Raportuesi i Kosovës në PE: Zhgënjyes dështimi për zgjedhjen...
Osmani: 7 Marsi është festa e shpirtit të kombit tonë, i ci...
KFOR vazhdon patrullimet përgjatë kufirit, synohet ruajtja e...
SHBA-ja konfirmon se Rusia po i ofron Iranit informacione pë...