Shtetet e Bashkuara e kanë përsëritur thirrjen ndaj Turqisë që të braktisë pajisjen me sistemin rus të mbrojtjes raketore S-400.
Gjatë një takimi të mbajtur në Bruksel, Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken i ka kërkuar ministrit të Jashtëm turk, Mevlut Cavusoglu që vendi tij të mos e mbajë armatimin rus, për të cilin SHBA-ja thotë se paraqet rrezik për sistemin e NATO-s.
Dy vendet aleate të NATO-s qe një kohë të gjatë kanë mosmarrëveshje lidhur me këtë çështje. Vitin e kaluar, Uashingtoni pezulloi Turqinë nga programi i saj i avionëve luftarakë të fshehtë F-35.
Ankaraja nënshkroi marrëveshjen me Moskën më 2017, duke e arsyetuar blerjen me nevojat e saj të sigurisë.
Departamenti amerikan i Shtetit përmes një njoftimi tha se Blinken dhe Cavusoglu diskutuan gjithashtu lidhur me përpjekjet për të përmirësuar marrëdhëniet e tensionuara midis anëtarëve të aleancës Turqisë dhe Greqisë.
“Sekretari (Blinken) shprehu mbështetje për dialogun midis aleatëve të NATO-s Turqisë dhe Greqisë”, thuhet në njoftim.
Blinken gjithashtu i ka shprehur homologut të tij turk, “shqetësimin për tërheqjen e Turqisë nga Konventa e Stambollit mbi Parandalimin dhe Luftimin e Dhunës ndaj Grave dhe Dhunës në Familje dhe theksoi rëndësinë e institucioneve demokratike dhe respektimin e të drejtave të njeriut”.
Të dy zyrtarët kanë diskutuar gjithashtu interesat e përbashkëta në Siri dhe Afganistan.
Nga ana e tij, Cavusoglu tha se bisedimet e tij me Blinken u zhvilluan në një atmosferë konstruktive dhe se ata ranë dakord të zhvillonin një takim më gjithëpërfshirës në Turqi ose Shtetet e Bashkuara.
Por, Cavusoglu i ka thënë Sekretarit Blinken se blerja nga Ankaraja e sistemeve S-400 ishte “një punë e mbaruar”.
Zyrtarët turq kanë thënë se sistemet ruse nuk do të integrohen në infrastrukturën mbrojtëse të NATO-s.
Dorëzimet e katër baterive të para të raketave, nga Rusia në Turqi, filluan në korrik të vitit 2019.
LDK kërkoi që në rezolutë të përfshihet një pikë për vrasjet...
“Liria ka Emër” përshëndet miratimin e Rezolutës nga Kuvendi...
PDK përshëndet dhe falënderon deputetët për votimin e Rezolu...
Kuvendi i Kosovës miraton ‘Rezolutën e Hagës’, veç 1 kundër
Kuvendi i Kosovës po trajton rezolutën për procesin gjyqësor...
Betohen 18 deputetë të rinj, zëvendësojnë ata që u bënë pjes...