SHBA-ja dërgon në Kolumbi aeroplanë me ndihma për Venezuelën

18:02 | 17 Shkurt 2019
Arbresh.info

Aeroplanët ushtarakë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, të mbushur me ndihma humanitare për popullin e Venezuelës, janë lëshuar në qytetin kufitar kolumbian të Cucutas.

Këto ndihma po dërgohen me kërkesën e udhëheqësit të opozitës venezuelase, Juan Guaido, i cili e shpalli veten president muajin e kaluar. Në anën tjetër, presidenti zyrtar, Nicolas Maduro, ka thënë se këto ndihma janë pjesë e planit amerikan për ta maskuar pushtimin e Venezuelës.

Guaido ka deklaruar se 600 mijë vullnetarë do ta bëjnë bartjen e këtyre ndihmave nga Kolumbia në Venezuelë të shtunën e ardhshme. “Ne do të mobilizohemi brenda dhe jashtë kufirit”, tha ai përmes një postimi në rrjetet sociale. Sidoqoftë, ende nuk është e qartë se a do ta lejojë ushtria e Venezuelës shpërndarjen e këtyre ndihmave.

Gjatë një konference për medie, administratori amerikan i USAID-it, Mark Green, ka thënë se Guadio ka bërë kërkesë për këto ndihma për shkak se vendi i tij po përballet me thellim të krizës humanitare. “Fëmijët janë të uritur dhe gati të gjitha spitalet kanë mungesë të ilaçeve”, tha ai, shkruan “BBC”.

Shpërndaje në rrjete sociale