Sezoni i festave fillon në mbarë globin me përgatitjet për Krishtlindjen

23:34 | 26 Nëntor 2022

Përgatitjet për Krishtlindjen kanë filluar në mbarë globin.

Stina e gëzueshme e festave po ndihet gjithandej, që nga çelja e sezonit festiv në parqet e njohura për dekorimet e tyre me rastin e festës e deri në kryeqytetin amerikan ku tashmë ka mbërritur në Shtëpinë e Bardhë pema zyrtare e Krishtlindjes.

Sezoni i festave fillon në mbarë globin me përgatitjet për Krishtlindjen

Qyteti Vigo në Spanjë ka ndezur dritat ekstravagante për Krishtlindjen.

Për shkak të krizës energjitike dhe kostos së jetesës, ka patur debat nëse dritat vezulluese duhet të ishin ndezur edhe këtë vit.

Janë rreth 11 milionë drita që do të ndriçojnë mbi 400 rrugë të qytetit, 30 rrugë më shumë se vitin e kaluar. Megjithatë, këtë vit ato do të qëndrojnë të ndezura një orë më pak, për shkak të kufizimeve të vendosura nga qeveria spanjolle për kursimin e energjisë.

Kufizimi mendohet se do të ulë konsumin e energjisë me 14.6%.

Buxheti i përgjithshëm për ndriçimin dhe dekorimin për Krishtlindjen në këtë qytet është rreth 1 milionë Euro.

Është një investim që do t’i sjellë qytetit të ardhura nga 500 milionë deri në 1 miliardë Euro, prej rreth 3 milionë turistëve që pritet të vijnë për festat.

Është çelur edhe tregu tradicional i Krishtlindjes në Vjenë, për herë të parë pa kufizime që kur filloi pandemia.

Aktivitetet ishin anuluar krejtësisht në vitin 2020, dhe pasi u çelën vetëm për të vaksinuarit në vitin 2021, u rimbyllën për shkak se Austria kaloi sërish në izolim të plotë për shkak të COVID-it. Këtë radhë janë hapur rreth 30 tregje të tilla në mbarë kryeqytetin austriak.

Bukureshti çeli tregun e Krishtlindjes megjithë shirat e dendura dhe megjithëse mungonte pema e Krishtlindjes që pritej të mbërrinte në vazhdim.

Rreth 80 tenda me ushqime, pije dhe dekorime janë ngritur në parkimin e parlamentit rumun në qendër të kryeqytetit.

Në Paris, aktori Tahar Rahim dhe kryebashkiakja Anne Hidalgo përuruan dritat e Krishtlindjes gjatë një ceremonie në Champs Elysee.

Për shkak të krizës energjitike, komisioni organizator shkurtoi periudhën e mbajtjes së dritave ndezur, duke i fikur ato çdo ditë përpara mesnatës, me përjashtim të natës së Krishtlindjes dhe të Vitit të Ri.

Pritet që të kursehet rreth 44% energji gjatë gjithë sezonit të festave.

Për t’i paraprirë edhe pakësimit të furnizimit me gaz, qeveria franceze synon të arrijë një ulje të menjëhershme me 10% të konsumit energjitik në rang kombëtar dhe do të inkurajojë masat për kursimin e energjisë.

Në Uashington, mbërriti në Shtëpinë e Bardhë pema zyrtare e Krishtlindjes.

Zonja e Parë Jill Biden priti mbërritjen e pemës, të cilën e quajti “të bukur”.

Pema prej 5.5 metrash e lartë u soll nga shteti Pensilvani, ku është rritur edhe vetë zonja e parë. Pema do të vendoset në Dhomën Blu të Shtëpisë së Bardhë, nga ku do të hiqet përkohësisht një shandan.

Dritat e Krishtlindjeve u ndezën edhe në rrugën më popullore me dyqane të Berlinit.

Pas dy vitesh anulimi për shkak të pandemisë dhe një viti të vështirë krize ekonomike, ato krijojnë atmosferën shumë të nevojshme festive për njerëzit që po përballen me inflacionin.

Në mbi 600 pemë të rrugës Kurfuerstendamm janë vendosur rreth 140 mijë drita, që kursejnë rreth 30% të energjisë së viteve të mëparshme.

Gjithashtu, tregu më i vjetër gjerman për Krishtlindjen u çel në Dresden, për herë të parë pas dy vitesh, por çmimet e rritura kanë pezmatuar megjithatë festimet e këtij viti.

Edhe vera tradicionale e ngrohtë shitet me çmim rreth 15% më të lartë, për shkak të rritjes së çmimit të gazit të lëngshëm./voa/