Rusia të martën ka urdhëruar një ndalesë gjashtëmujore të eksporteve të benzinës duke nisur nga 1 marsi, me qëllim që të mbahen stabile çmimet për shkak të rritjes së kërkesës nga konsumatorët dhe fermerët. Kjo ndalesë po ashtu u vendos për të mirëmbajtur rafineritë në shtetin që është eksportuesi i dytë më i madh në botë i naftës.
Ndalesa, që fillimisht u raportua nga media ruse RBC, u konfirmua nga zëvendëskryeministri rus, Alexander Novak, i cili është emëruar nga presidenti rus, Vladimir Putin, që të merret me sektorin e energjisë së shtetit.
RBC raportoi se kryeministri rus, Mikhail Mishustin, kishte miratuar ndalesën pasi Novak e propozoi këtë gjë më 21 shkurt.
“Për të kompensuar kërkesën e tepërt për produkte të benzinës, është e nevojshme që të marrë masa për të ndihmuar në stabilizimin e çmimeve në tregun e brendshëm”, citohet të ketë thënë Novak në propozimin dërguar Mishustinit.
Çmimet e benzinës në Rusi janë një çështje e ndjeshme për konsumatorët dhe fermerët në shtetin që është eksportuesi më i madh i drithit në botë para mbajtjes së zgjedhjeve presidenciale në mars.
Po ashtu, në muajt e fundit disa rafineri ruse janë goditur nga dronët ukrainas, teksa lufta mes Rusisë dhe Ukrainës ka hyrë në vitin e tretë.
Rusia dhe Ukraina kanë goditur infrastrukturën e energjisë së njëra-tjetrës, duke synuar që të pengojnë linjat e furnizimeve dhe për të demoralizuar kundërshtarët.
Eksportet e naftës, produkteve të saj dhe gazit deri më tani janë eksportet më të mëdha të Rusisë dhe të ardhurat nga to janë një burim i rëndësishëm për ekonominë ruse prej 1.9 trilion dollarësh./rel
Nis fushata për zgjedhjet e parakohshme, KQZ tregon rregulla...
Shisnin drogë pranë shkollave në Durrës, ekzekutohen masat e...
Vdes zyrtarja policore, Policia shpreh ngushëllime
Gjashtëmbëdhjetë nxënës të vrarë në zjarr në një shkollë në ...
Maran zbardh listën e Shqipërisë për miqësoret e qershorit
QKUK: I plagosuri nga sulmi me thikë në Mitrovicë jashtë rre...