Referendumi në Itali, rreziku i bankave dhe fati i kryeministrit

00:07 | 4 Dhjetor 2016
Trina Galanxhi

Analistët italianë mendojnë se bankat do të jenë viktimat e parë të një vote kundër ndryshimeve kushtetuese që pritet të votohen në referednumin e katër dhjetorit. Ata argumentojnë se vota kundër do të çonte në dorëheqjen e kryeministrit Renzi e për pasojë në një krizë politike, gje e cila do të destabilizonte edhe tregjet financiare.

Teksa italianët po përgatiten për referendumin kushtetues të 4 dhjetorit, analistët kanë frikë se bankat mund të jenë viktimat kryesore nëse rezultati është në favor të jo-së, ose kundër ndyshimeve kushtetuese, i cili do të shkaktonte një krizë qeveritare. Kryeministri Mateo Renzi ka premtuar se do të japë dorëheqjen nëse italianët nuk votojnë reformat e tij kushtetuese, gjë e cila më shumë gjasë do të sjellë përveçse destabilitet politik, edhe lëkundje të tregjeve financiare. Në qendër të ndryshimeve kushtetuese të propozuara nga Renzi qëndron zhbërja e senatit dhe zëvendësimi i tij me një dhomë të përfaqësuesve rajonalë të cilët do të kenë kompetenca shumë më të reduktuara.

Qeveria gjithashtu ka planifikuar kthimin e disa kompetencave të rëndësishme vendimarrëse për rajonet. Profesori i historisë bashkëkohore në Universitetin Luiss të Romës, Giovanni Orsina beson se Italia do të ketë probleme të mëdha nëse reformat nuk kryhen.

“Ajo që do të shihet qartësisht do të jenë problemet me euron në të ardhmen, nesë Italia nuk bën reformat e nevojshme për mbajtjen në nivle të qëndrueshëm të borxhit publik. Dhe unë mendoj se vota pro do të çonte në kryerjen e refomave”

Matteo Salvini, lideri Ligës së Veriut ka thënë se do të kandidojë për kryeministër në zgjedhjet e ardhshme dhe ka kërkuar votën kundër nga italianët.

“Ishte një eksperiment i gabuar. Një monedhë e përbashkët për 18 sisteme të ndryshme tatimore, sisteme të ndryshme ligjore, sistemet shëndetësore etj, krejtësisht e panatyrshme. Ne kemi shtatë ekonomistë,  fitues të çmimit Nobel, të cilët vërtetojnë se duhet të ketë një fund të këtij eksperimenti”

Të dobësuara nga recesioni i thellë që la pas 356 miliardë euro në kredi me probleme, bankat italiane kanë nevojë për të paktën 20 miliardë eurokapital në muajt e ardhshëm për mbulimin e humbjeve.

Ajo se çfarë do të ndodhë me bankat është relative, ku një pjesë e analistëve mendojnë se vota e referendumit pro ose kundër nuk do të ndikojë, kurse fati i kryeministrit Mateo Renzi do të vendoset të dielën, katër dhjetor ora 11:00.

Shpërndaje në rrjete sociale