Raportohet se lideri suprem i Iranit është vrarë, flet ministri i Jashtëm Araghchi: Për aq sa di unë, Khamenei është gjallë

16:48 | 28 Shkurt 2026
E.K

Ministri i Jashtëm i Iranit, Abbas Araghchi, ka deklaruar se Udhëheqësi Suprem i vendit, Ajatollah Ali Khamenei, është ende gjallë “për aq sa di unë”, pas sulmeve të përbashkëta amerikane-izraelite.

Në një intervistë për NBC News, Araghchi theksoi se pavarësisht raportimeve nga media izraelite se Khamenei mund të ishte vrarë, të gjithë zyrtarët e lartë të regjimit kanë mbijetuar.

“Të gjithë zyrtarët e lartë janë gjallë. Pra, të gjithë janë tani në pozicionet e tyre dhe ne po e trajtojmë këtë situatë, dhe gjithçka është në rregull,” tha ai.

Sipas ministrit, dy komandantë iranianë kanë humbur jetën gjatë sulmeve, por figura kyçe të sistemit politik, përfshirë kreun e gjyqësorit dhe kryetarin e parlamentit, nuk janë prekur.

Ai shtoi se edhe presidenti Masud Peskov është gjallë.

Deklarata e Araghchit erdhi si kundërpërgjigje ndaj raportimit të kanalit izraelit Channel 12, i cili citoi burime të sigurisë se Izraeli vlerësonte se Khamenei “ka shumë të ngjarë të jetë vrarë” në sulmet ajrore. NBC News ka theksuar se nuk ka mundur të verifikojë në mënyrë të pavarur pretendimet e ministrit iranian.

Araghchi kritikoi ashpër SHBA-në dhe Izraelin për nisjen e sulmeve, duke i cilësuar si veprime të papërgjegjshme në një kohë kur negociatat bërthamore janë ende në zhvillim.

“Ne po e trajtojmë këtë situatë me seriozitet, por gjithçka është nën kontroll,” tha ai.

Ai shtoi se Teherani ishte i interesuar në uljen e tensioneve dhe ishte gati të bisedonte sapo të përfundonin sulmet e përbashkëta SHBA-Izrael.

Të ngjashme