Dhjetëra mijëra protestues bllokuan të martën autostradat dhe stacionet e trenave si dhe u mblodhën në Tel Aviv gjatë një dite protestash mbarëkombëtare kundër planit të debatueshëm të Kryeministrit Benjamin Netanyahu për reformimin e gjyqësorit.
Protestat, tashmë në muajin e shtatë, janë shtuar gjatë ditëve të fundit ndërsa zoti Netanyahu dhe aleatët e tij në parlament po përparojnë me planin e reformës.
Projektligji i parë i kësaj pakete – që synon të kufizojë kompetencat mbikëqyrëse të Gjykatës së Lartë – mund të bëhet ligj që javën e ardhshme.
Trazirat lanë disi në hije edhe vizitën në Shtëpinë e Bardhë të presidentit të Izraelit, Isaac Herzog, i cili u ftua në Uashington për të festuar 75 vjetorin e Izraelit.
Zoti Herzog, një politikan i qendrës, është përfshirë në përpjekjet jopublike për të ndërmjetësuar një kompromis për reformën e gjyqësorit, që ka tensionuar marrëdhënien mes zotit Netanyahu dhe Presidentit amerikan Joe Biden.
Nuk ishte e qartë nëse zoti Herzog, një ish-rival politik i zotit Netanyahu dhe që ka treguar pak entuziazëm për planin e reformimit, do të mundohej t’i afronte dy udhëheqësit.
Zoti Netanyahu dhe aleatët e tij thonë se reforma është e nevojshme për të vendosur nën kontroll pushtetin e një gjyqësori të pazgjedhur me votë – në veçanti Gjykatën e Lartë – që ata besojnë se bën ndërhyrje të tepruara tek vendimet e qeverisë.
Kundërshtarët e tyre, që përfaqësojnë segmente të gjera të shoqërisë izraelite, thonë se plani është një zaptim pushteti nga zoti Netanyahu dhe aleatët e tij ultra-ortodoksë, që do të shkatërrojë sistemin delikat të kontrollit dhe balancës në vend.
Ata gjithashtu thonë se kryeministri, i cili po gjykohet për akuza korrupsioni, dhe aleatët e tij kanë pakënaqësi të ndryshme ndaj sistemit gjyqësor.
Gjatë të martës të mbiquajtur “dita e ndërprerjes”, protestuesit bllokuan autostradat kryesore dhe u mblodhën përpara bursës së Izraelit dhe shtabit të ushtrisë. Drejtuesit e sipërmarrjeve kanë paralajmëruar në mënyrë të përsëritur se një sistem i dobësuar ligjor do të largojë investitorët e huaj.
Rezervistët në njësi kyçe ushtarake, ndër ta pilotë të forcave ajrore dhe agjentë të luftës kibernetike, kanë kërcënuar se nuk do të paraqiten në detyrë.
“Kjo qeveri është krejtësisht e çmendur. Kemi frikë për demokracinë tonë, për gjithçka që kemi ndërtuar – kjo është arsyeja pse ne të gjithë jemi këtu duke luftuar”, tha Itai Bar Natan, 48 vjeç, drejtues në fushën e teknologjisë së lartë, i cili mbante një flamur me mbishkrimin “Bashkëluftëtarët”, një slogan i përdorur nga rezervistët e ushtrisë gjatë protestave.
Demonstruesit, shumë prej tyre rezervistë, bllokuan një nga hyrjet në komandën ushtarake të Izraelit në qendër të Tel Avivit./voa/
Raportohet për të shtëna me armë zjarri në Prishtinë, dyshoh...
Arrestohen dy persona për përplasjen në Skenderaj
Policia në kërkim të personit që mbante ujk të egër në Shkup...
Lojtari që nuk dëshiron të nënshkruajë për Real Madridin nës...
“Qeveria tentoi të vendosë pengesa për Bordin e Paqes, Osman...
Haxhiu pret nesër në takim Komisioneren Kos