Universiteti i Kolumbias mbajti mësime në internet të hënën në ditën e gjashtë të protestave studentore mbi konfliktin Izrael-Hamas.
Presidentja Nemat “Minouche” Shafik i dërgoi një email komunitetit të Universitetit të Kolumbias duke njoftuar se mësimi do të mbahej në internet.
“Niveli i mosmarrëveshjeve është rritur në ditët e fundit”, shkroi prof. Shafik. “Këto tensione janë shfrytëzuar dhe përforcuar nga individë që nuk janë të lidhur me Universitetin e Kolumbias, të cilët kanë ardhur në kampus për të avancuar axhendat e tyre. Ne kemi nevojë për një fillim të ri.”
Më shumë se 100 studentë u arrestuan më 18 prill, pasi presidentja e Universitetit të Kolumbias autorizoi policinë të largonte protestuesit. Disa studentë morën edhe njoftime për pezullim nga universiteti.
Veprimi i Universitetit të Kolumbias shkaktoi një valë protestash pro-palestineze në universitete të tjera dhe reagime ndaj drejtuesit e tyre dhe politikanët.
Arrestimet u bënë pasi grupi i studentëve “Columbia University Apartheid Divest” ngriti dhjetëra tenda në një lëndinë në qendër të kampusit, duke e shndërruar atë në një “Burim Solidariteti për Gazën”.
Pas arrestimeve dhe prishjes së kampit fillestar, një tjetër kamp pro-palestinez u ngrit në një lëndinë ngjitur.
Ky nuk është grupi i vetëm i studentëve që po protestojnë në këtë Universitet.
Të hënën në mëngjes, profesorit të Fakultetit të Biznesit, Shai Davidai iu mohua hyrja në universitet për tentativë të organizimit të një kundër-proteste pro-izraelite në lëndinën e uzurpuar pasi ai refuzoi të respektonte rregullat e universitetit kundër protestës.
“Unë jam profesor këtu dhe kam të drejtë të jem kudo në kampus. Nuk është e drejtë që ju lejoni hyrjen e mbështetësve të Hamasit në kampus dhe jo mua, një profesor. Më lejoni të hyj tani”,tha ai pasi Shefi i Operacioneve në Universitetin e Kolumbias, Cass Halloway e ndaloi atë dhe protestuesit e tjerë pro-izraelit në portat e hyrjes.
Ai i ka quajtur vazhdimisht studentët protestues “maniakë të dhunshëm” dhe “terroristë pro-Hamasit”. Një peticion që kërkon shkarkimin e profesor Davidait ka mbledhur rreth 9000 nënshkrime që nga mbrëmja e së enjtes së kaluar.
Disa studentë hebrenj në Universitetin e Kolumbias thonë se shumë kritika ndaj Izraelit janë antisemite dhe i bëjnë ata të ndihen të pasigurt.
Që nga arrestimi i studentëve, shumë organizata studentore dhe grupe të lidhura me Universitetin e Kolumbias kanë lëshuar deklarata duke dënuar vendimin e universitetit për arrestimin e studentëve, duke përmendur zbatimin diskriminues të rregullave që kufizojnë lirinë e fjalës së studentëve.
Të hënën, qindra anëtarë të fakulteteve të Universitetit të Kolumbias dhe Kolegjit Barnard organizuan një protestë, në të cilën bënë thirrje për anulimin e vendimit për pezullimin e studentëve.
Protestat nxitën një reagim edhe nga Presidenti amerikan Joe Biden. Kur u pyet për ngjarjet e fundit në universitet nga gazetarët të hënën, Presidenti Biden tha: “Unë i dënoj protestat antisemite. Për këtë arsye unë kam krijuar një program për t’u marrë me këtë çështje. Unë i dënoj edhe ata që nuk e kuptojnë se çfarë po ndodh me palestinezët.”
Edhe në universitete të tjera, si Yale, Stanford dhe Universiteti i Nju Jorkut janë zhvilluar protesta pro-palestineze, në të cilat është bërë thirrje që universitetet e heqin dorë nga bashkëpunimi me kompanitë që kanë lidhje me Izraelin dhe për një armëpushim në Rripin e Gazës. Shumë prej tyre kanë ngritur kampe me tenda në kampuset e tyre. Rreth50 studentë u arrestuan në Universitetin Yale, të hënën pasi ata refuzuan të largoheshin nga kampi i tyre.
Studentët, që po marrin pjesë në protestat në Universitetin e Kolumbias u kanë kërkuar organizatorëve të protestave jashtë kampusit që të “kujtojnë se për çfarë po protestojmë” dhe të përqëndrohen në luftën në Rripin e Gazës, në vend që të shprehin solidaritet me protestuesit.
Universiteti njoftoi të martën në mëngjes se mësimi në kampusin kryesor, Morningside, ku po zhvillohen protestat, do të ofrohet në një format hibrid për pjesën e mbetur të gjysëmvjetorit. Dita e fundit e mësimit është më 29 prill.
Një pjesë e të dhënave në këtë artikull janë marrë nga agjencitë e lajmeve Reuters dhe Associated Press./VOA
Artiola Toska shtatzënë për herë të parë në moshën 51-vjeçar...
Anija italiane nis një tjetër grup emigrantësh për në Shëngj...
Ismajli mbrojtësi më i vlerësuar në Serie A
Media britanike “The Guardian”: Aventurë emocionuese skijimi...
Amerikanët zgjedhin mes dy vizioneve qartësisht të ndryshme
“E kemi çmuar aq shumë interesimin e popullit të Kosovës për...