Propozimi i ri i paqes i administratës Trump për Ukrainën mund të kërkojë që Ukraina të dorëzojë disa territore në Lindje dhe të zvogëlojë ushtrinë e saj, sipas një burimi. Plani është ende në zhvillim dhe jo përfundimtar. Zelensky ka pranuar të punojë me SHBA-në për ta shqyrtuar, por shumë zyrtarë evropianë dhe ukrainas e quajnë të papranueshëm.
Një propozim i ri paqeje për Ukrainën, i hartuar nga administrata Trump, mund të parashikojë që vendi t’i dorëzojë rajonin lindor të Donbasit dhe të kufizojë madhësinë e ushtrisë së tij në këmbim të garancive të sigurisë nga Shtetet e Bashkuara, sipas një zyrtari perëndimor të njohur me idetë që po diskutohen.
Zyrtarët amerikanë thanë se plani ende është në punim e sipër dhe se çdo marrëveshje përfundimtare do të kërkonte lëshime nga të dyja palët, jo vetëm nga Ukraina. Disa nga pikat që qarkullojnë tani, përfshirë disa që duken të anuar drejt kërkesave të Moskës nuk janë përfundimtare, thanë zyrtarët, dhe pothuajse me siguri do të ndryshojnë. Gatë një konference të enjten pasdite, sekretarja e shtypit të Shtëpisë së Bardhë tha se plani mbetet “në zhvillim”.
Pas takimit me një zyrtar të lartë ushtarak amerikan në Kiev të enjten, presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky ra dakord të punojë me administratën Trump për planin e ri, duke thënë në një postim në rrjetet sociale se ishte i përgatitur për “punë konstruktive, të sinqertë dhe të shpejtë” për të arritur paqen.
Plani me 28 pika, të cilin presidenti Donald Trump e ka shqyrtuar dhe e mbështet, është përpjekja më e fundit e Shtëpisë së Bardhë për t’i dhënë fund luftës së Rusisë në Ukrainë. Disa nga dispozitat e propozimit, përfshirë koncesione territoriale në zona që aktualisht nuk mbahen nga Rusia, më parë kanë qenë të papranueshme për ukrainasit. Por zyrtarët amerikanë shohin një dritare të re mundësie për të rinisur diskutimet e paqes.
Plani ende është në fazën e kornizës dhe shumë prej pikave të tij nuk janë finalizuar. CNN nuk e ka parë draftin e propozimit.
“Presidenti Trump e ka bërë shumë të qartë që nga dita e parë, madje edhe gjatë fushatës, se ai dëshiron që kjo luftë të marrë fund. Ai është bërë gjithnjë e më i frustrurar me të dyja palët e kësaj lufte, si me Rusinë ashtu edhe me Ukrainën, për refuzimin e tyre për t’u angazhuar në një marrëveshje paqeje”, tha sekretarja e shtypit të Shtëpisë së Bardhë, Karoline Leavitt, gjatë konferencës.
“Megjithatë, presidenti dhe ekipi i tij i sigurisë kombëtare mbeten të vendosur që t’i japin fund kësaj lufte”, ths ajo.
Leavitt hodhi poshtë sugjerimet se plani ishte tepër i favorshëm për Moskën, duke thënë se administrata kishte “folur në mënyrë të barabartë me të dyja palët” për ta hartuar.
“Është një plan i mirë si për Rusinë, ashtu edhe për Ukrainën, dhe ne besojmë se duhet të jetë i pranueshëm për të dyja palët, dhe po punojmë shumë që ta realizojmë”, tha ajo.
Sekretari i Shtetit Marco Rubio sugjeroi të mërkurën mbrëma se dokumenti ishte më shumë një “listë idesh të mundshme” sesa një propozim i përfunduar.
“Mbarimi i një lufte komplekse dhe vdekjeprurëse si ajo në Ukrainë kërkon një shkëmbim të gjerë idesh serioze dhe realiste”, shkroi ai në një postim në X. “Dhe arritja e një paqeje të qëndrueshme do të kërkojë që të dyja palët të bien dakord për lëshime të vështira, por të nevojshme. Kjo është arsyeja pse ne po zhvillojmë dhe do të vazhdojmë të zhvillojmë një listë idesh të mundshme për t’i dhënë fund kësaj lufte, bazuar në kontributin e të dyja palëve të konfliktit”.
Megjithatë disa nga dispozitat që po qarkullojnë ka gjasa të nxisin kritika nga Ukraina dhe mbështetësit e saj, pasi ato do të kërkonin dorëzimin e një territori të konsiderueshëm. Dy rajonet që përbëjnë Donbasin, Luhansk dhe Donetsk, ende mbahen pjesërisht nga Ukraina.
Në territoret e tjera të kontestuara, Kherson dhe Zaporizhzhia, vijat aktuale të frontit do të ngriheshin, sipas përshkrimit të zyrtarit perëndimor për idetë që po diskutohen. Moska më parë ka sugjeruar që Kievi të dorëzonte të dyja këto rajone në tërësi.
Në një skenar, Ukraina do të duhej gjithashtu të zvogëlonte përmasën e ushtrisë së saj dhe të çmontonte disa prej aftësive të saj ushtarake, përfshirë armë të fuqishme që ka marrë gjatë luftës, tha zyrtari perëndimor.
Pika të tjera nën diskutim përfshijnë statusin e gjuhës ruse dhe Kishës Ortodokse Ruse në Ukrainë pas përfundimit të luftës.
Plani gjithashtu përfshin garanci sigurie të mbështetura nga SHBA, të destinuara të sigurojnë që Rusia të mos mund të pushtojë më tej ose të zgjerojë luftën në Evropë. Detajet u përshkruan nga zyrtari perëndimor i njohur me dokumentin.
Propozimi i ngjan një plani paqeje nga bisedimet në Stamboll në javët e para të luftës në vitin 2022, duke përsëritur disa nga kërkesat më të gjera gjeopolitike të Moskës rreth forcave të armatosura dhe aleancave të Ukrainës.
Bisedimet në Ukrainë
Sekretari i Ushtrisë Dan Driscoll u takua me Zelensky-n në Ukrainë të enjten dhe i dorëzoi atij propozimin e administratës Trump, sipas një zyrtari të mbrojtjes së SHBA që foli për CNN.
Driscoll dhe Zelensky diskutuan “një plan bashkëpunimi për të arritur paqen në Ukrainë” dhe “ranë dakord për një afat agresiv për nënshkrimin,” tha zyrtari i mbrojtjes. Ai sqaroi se SHBA priste që Zelensky të nënshkruante një kornizë me SHBA për të punuar drejt një marrëveshjeje të ardhshme paqeje, jo një marrëveshje përfundimtare.
Nuk është e qartë se sa agresiv është ai afat, apo nëse Zelensky ra dakord me pikat e planit. Zyrtarë evropianë dhe ukrainas i thanë CNN të mërkurën se plani duket se përmban kërkesa të papranueshme dhe maksimaliste nga Rusia, përfshirë dorëzimin e territorit në rajonin lindor të Donbasit që Rusia as nuk e kontrollon aktualisht.
Por zyra presidenciale e Ukrainës tha të enjten në X se “Presidenti i Ukrainës ka marrë zyrtarisht nga pala amerikane një draft plani i cili, sipas vlerësimit të palës amerikane, mund të ndihmojë në ringjalljen e diplomacisë.”
“Presidenti i Ukrainës shtjelloi parimet themelore që kanë rëndësi për popullin tonë, dhe pas takimit të sotëm, palët ranë dakord të punojnë mbi dispozitat e planit në një mënyrë që do t’i sillte fund të drejtë luftës”, tha zyra presidenciale, duke shtuar se Zelensky pret të flasë me Trump në ditët e ardhshme.
I pyetur pse ushtria ishte ngarkuar me dorëzimin e planit të paqes në vend të diplomatëve, zyrtari i mbrojtjes tha se ushtria “vjen nga një pozitë e besuar” nga ukrainasit dhe gjithashtu ndodhet në Ukrainë për të zhvilluar takime mbi inovacionet në fushën e betejës, një temë me të cilën Driscoll është marrë gjerësisht gjatë mandatit të tij.
“Ne vijmë nga një pozitë e besuar. Ushtria e SHBA është një aleate e provuar e Ukrainës”, tha zyrtari.
Një diplomat evropian përsëriti përshkrimin e disa detajeve të propozimit, ashtu si te zyrtari perëndimor. Ai i tha CNN se përpjekja e re, që përsërit shumë nga kërkesat maksimaliste të Moskës që datojnë nga viti 2022, i kujtoi atij filmin “Groundhog Day,” ku ngjarjet përsëriten vazhdimisht.
Një i dërguar evropian me bazë në Ukrainë tha se plani i kishte zënë plotësisht të papërgatitur qarqet diplomatike.
“E gjithë kjo është kaluar më parë dhe është hedhur poshtë, dhe tani jemi kthyer në pikën zero”, tha diplomati. “Për ukrainasit, kjo është e papranueshme dhe me arsye të mirë. Thjesht do të ishte një ftesë për rusët që të ktheheshin përsëri në një moment të ardhshëm. Do të ishte vetëvrasje politike për çdo lider ukrainas që ta pranonte, dhe do të ishte vetëvrasje ushtarake të dorëzoje atë zonë të fortifikuar.”
Diplomati gjithashtu përshkroi ministritë e jashtme në Evropë dhe gjetkë që po telefononin kontaktet e tyre në Uashington për udhëzime mbi planin, por u thuhej se ishin po aq në errësirë.
“Kemi dëgjuar drejtpërdrejt nga njerëz në Departamentin e Shtetit dhe në Kongres se askush nuk dinte gjë rreth këtij plani deri sa u publikua dje”, tha diplomati.
“Njerëz që duhej të kishin ditur për të, nuk dinin asgjë… Ka shumë bezdi dhe konfuzion.”
Në komentet e saj të para publike që nga shfaqja e raportimeve për planin, shefja e politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Kaja Kallas, u tha gazetarëve të enjten se “që çdo plan të funksionojë, nevojiten ukrainasit dhe evropianët që të jenë pjesë e tij.” Ndërkohë, ministri i jashtëm polak Radosław Sikorski i tha CNN se çdo plan duhet të përfshijë Evropën dhe të lërë Kievin me aftësi për t’u mbrojtur.
“Ne kemi një interes shumë më të madh në këtë sesa SHBA, dhe për këtë arsye Ukraina, por edhe Evropa, duhet të jenë të përfshira,” tha ai.
I dërguari i posaçëm i Trumpit, Steve Witkoff, ka udhëhequr përpjekjen, raportoi CNN të mërkurën, me një burim që tha se negociatat u përshpejtuan këtë javë pasi administrata ndjeu se Kremlini kishte sinjalizuar një hapje të re për një marrëveshje. Një zyrtar amerikan tha se Witkoff kishte punuar në heshtje mbi planin për një muaj, me kontribut nga të dyja palët — ukrainasit dhe rusët — mbi kushtet që ata mund të pranonin.
Ndërkohë, Kremlini përsëriti mohimin se po punonte me SHBA për një propozim paqeje për Ukrainën, duke thënë të enjten se nuk kishte “asgjë të re”.
“Nuk kemi asgjë të re për të shtuar ndaj asaj që u tha në Anchorage,” tha zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov, duke iu referuar një takimi midis presidentit rus Vladimir Putin dhe Trump në Alaskë në gusht. “Nuk kemi zhvillime të reja.”
Atletico Madrid synon një mesfushor të Atalantës
Aksident me vdekje në aksin Shkodër-Hani i Hotit
Betohet kryetari i Zveçanit, Dragisha Milloviq
Kurti vizitoi punimet në Qendrën Multifunksionale në Sharr
Fillon aplikimi për akreditimin e vëzhguesve dhe mediave për...
Ndërrimi i pushtetit në veri – Flamujt e fotografia e ...