Prokuroria turke kërkon 2000 vjet burg për opozitarin Imamoglu

17:12 | 11 Nëntor 2025
E.H

Një prokuror turk kërkoi të martën një dënim me burg prej më shumë se 2.000 vjetësh për Ekrem Imamoglu-n, kryetarin opozitar të Stambollit që ndodhet në burg, nën akuzën se ka udhëhequr një rrjet të gjerë korrupsioni që i ka shkaktuar shtetit humbje prej miliarda lirash.

Imamoglu, rivali kryesor politik i presidentit Tayyip Erdogan, ka mohuar më parë të gjitha akuzat ndaj tij, duke i cilësuar ato si politike, ndërsa partia e tij e opozitës të martën i hodhi poshtë akuzat e reja si “absurde”.

Në një veprim të veçantë që e thellon më tej fushatën njëvjeçare ligjore kundër kritikëve të Erdogan-it, prokurori i Stambollit kërkoi nga një gjykatë më e lartë të shqyrtojë mbylljen e Partisë Popullore Republikane (CHP), partisë kryesore opozitare të Imamoglu-t, raporton Reuters.

Prokurori i Përgjithshëm i Stambollit, Akin Gurlek, njoftoi aktakuzën në një konferencë për shtyp, duke thënë se ajo përfshin 402 të dyshuar, përfshirë edhe kryebashkiakun, dhe i akuzon për krijimin e një organizate kriminale, ryshfet, mashtrim dhe manipulim tenderësh.

Sipas Gurlek, rrjeti i akuzuar i ka shkaktuar shtetit turk humbje prej 160 miliardë lirash (rreth 3.8 miliardë dollarë) gjatë një periudhe 10-vjeçare.

Opozita: Akuzat janë politike

Kreu i degës së CHP-së në Stamboll, Ozgur Celik, shkroi në ‘X’ se aktakuza është “absurde” dhe “e turpshme”, duke shtuar se ajo synon të shkatërrojë shpresat e Imamoglu-t për t’u bërë president i Turqisë.

Imamoglu ndodhet në burg që nga marsi, në pritje të gjykimit për akuzat e korrupsionit, dhe në korrik mori një dënim të veçantë me burg për fyerje dhe kërcënim ndaj prokurorit të Stambollit, vendim që ai e ka apeluar.

Qeveria mohon pretendimet e Imamoglu-t dhe të CHP-së se çështja kundër tij është e motivuar politikisht, duke theksuar se gjykatat turke janë të pavarura./RTK

Shpërndaje në rrjete sociale