Princi William merr dozën e parë të vaksinës COVID-19

10:16 | 20 Maj 2021
Arditë Shkodra

Princi britanik William, i cili rezultoi pozitiv për COVID-19 vitin e kaluar, ka bërë të ditur se kishte marrë dozën e tij të parë të vaksinës anti-Covid.

William, 38 vjeç, nipi i Mbretëreshës Elizabeth dhe i dyti në radhë për fronin Britanik, zbuloi në Twitter se kishte marrë dozën e parë të vaksinës në fillim të kësaj jave, së bashku me një foto të momentit kur ai mori injeksionin në Muzeun e Shkencës në Londër, shkruan Reuters, transmeton arbresh.info

“Të martën mora dozën time të parë të vaksinës COVID-19,” tha ai. “Për të gjithë ata që punojnë në përhapjen e vaksinave – faleminderit për gjithçka që keni bërë dhe vazhdoni të bëni.”

William u sëmur nga Covid-19 në prillin e kaluar, në të njëjtën kohë me babain e tij, trashëgimtari i fronit Princi Charles, megjithëse e mbajti lajmin sekret deri në Nëntor.

Raportet e medias thanë se ai nuk donte të alarmonte askënd dhe se ai ishte goditur mjaft keq nga virusi.

Anëtarët e tjerë të familjes mbretërore gjithashtu kanë zbuluar se ata kanë marrë dozat e tyre të vaksinës, përfshirë monarkun 95-vjeçar dhe Charles.

Mbretëresha tha se procedura ishte shumë e shpejtë dhe nuk dëmtonte, dhe ajo inkurajoi publikun të ndiqte shembullin, duke thënë se ata që ishin të kujdesshëm duhet të mendonin për të tjerët.

Britania u ka dhënë vaksinën e parë gati 37 milion njerëzve në një nga shpërndarjet më të shpejta në botë, me të gjithë ata që janë mbi 34 vjeç tani të kualifikuar për të marrë këtë vaksinë./arbresh.info/