Fundjava nuk po shërben si një pushim për betejën e hetimit për shkarkimin e Presidentit Donald Trump. Ai shkruajti disa mesazhe të forta në Twitter, duke sulmuar si demokratët, ashtu edhe anëtarë të rëndësishëm të partisë së tij republikane.
Presidenti Trump e sulmoi ashpër në Twitter Senatorin republikan Mitt Romney, të cilin e quajti të “kapardisur” dhe një “naivë që po bie plotësisht në prehrin e demokratëve”.
Arsyeja kishte të bënte me reagimin e Senatorit Romney, ndaj këtij komenti të Presidentit Trump:
“Kina duhet të hetojnë Biden-at”, u tha gazetarëve Presidenti Trump ditën e enjte.
Senatori Romney shkruajti në Twitter se “thirrja e paprecedentë dhe pa takt drejtuar Kinës dhe Ukrainës për të hetuar Joe Biden-in është e gabuar dhe revoltuese”.
Ai është senatori i parë republikan që kritikon drejtpërsëdrejti sjelljen e Presidentit Trump.
Mbrëmë, Senatorja Collins e shtetit Maine, iu bashkua me kujdes Senatorit Romney. Megjithëse, asaj do t’i duhet të përballet me një betejë të vështirë për t’u rizgjedhur, Senatorja Collins e quajti thirrjen e Presidentit Trump drejtuar Kinës “krejtësisht të papërshtatshme”. Megjithatë, ajo nuk tha nëse Presidenti Trump ka bërë shkelje duke i bërë presion Ukrainës për të hetuar Biden-at.
“Unë do të jem në rolin e anëtares së jurisë, siç isha gjatë gjykimit të Presidentit Clinton. Prandaj nuk dëshiroj të paragjykoj evidencën, e cila nuk është marrë ende e tëra”, u tha gazetarëve Senatorja Collins.
Siç pritej, demokratët po e kritikojnë më haptazi Presidentin Trump, në veçanti ata që kandidojnë për zgjedhjet presidenciale.
“Ky President ka vënë interesat e tij të biznesit, interesat e tij politike, si dhe interesat e tij partiake, mbi interesat e vendit”, deklaroi Amy Klobuchar, kandidate demokrate për zgjedhjet e ardhshme presidenciale.
“Let të jemi të qartë – këtu shohim qartë një shkarkim të ardhshëm, me kollare të kuqe”, tha kandidatja demokrate Kamala Harris.
Në vazhdim të hetimeve, komisionet e Dhomës së Përfaqësuesve pritet të dëgjojnë nga dy diplomatë amerikanë.
Të martën pritet të paraqitet ambasadori amerikan në Bashkimin Evropian, ndërsa të premten, do të dëgjohet Marie Yovanovitch, ish-ambasadorja amerikane në Ukrainë, e larguar nga kjo detyrë nga Presidenti Trump.
Sekretari amerikan i Shtetit Mike Pompeo tha se Departamenti i Shtetit do të bashkëpunojë, por pa tejkaluar masën.
“Ka patur hetime nga Kongresi që i kanë shqetësuar dhe abuzuar punonjësit e Departamentit të Shtetit, duke i kontaktuar drejtpërsëdrejti dhe u kërkuar të ofrojnë dokumenta që janë pronë e Departamentit të Shtetit. Kjo është përndjekje, dhe unë nuk do të lejoj kurrë që t’i ndodhë ekipit tim”, deklaroi nga Athina, Sekretari amerikan i Shtetit./voa/
Dy të vdekur nga një sulm palestinez në Izrael
IKSHPK bën thirrje për vaksinim kundër gripit sezonal
E rëndë: Rryma ia merr jetën një të riu në Malësi të Madhe
Gjermania po përgatit rregulla të rrepta për mediat sociale,...
KEDS garanton energji pa ndërprerje gjatë zgjedhjeve të 28 d...
Zgjedhjet e parakohshme, nesër votohet në përfaqësitë diplom...