Presidenti i Iranit, Masoud Pezeshkian ka deklaruar se përpjekjet e SHBA-së dhe Izraelit për të ndërprerë programin bërthamor të Teheranit janë të kota, duke e quajtur idenë e ndërprerjes së tij “një iluzion” dhe duke u zotuar të vazhdojë pasurimin e uraniumit brenda kuadrit të së drejtës ndërkombëtare.
“Këto përpjekje bazohen në iluzione”, tha Pezeshkian në një intervistë me Al Jazeera të Katarit të martën, duke iu referuar pohimeve të bëra nga zyrtarët amerikanë, përfshirë Presidentin Donald Trump, se infrastruktura bërthamore e Iranit ishte neutralizuar.
“Aftësia bërthamore qëndron në mendjet e shkencëtarëve tanë, jo në objektet tona”, është shprehur presidenti i Iranit.
Ai riafirmoi qëndrimin e kahershëm të Iranit se nuk kërkon armë bërthamore, duke përmendur angazhime politike, fetare dhe strategjike.
“Ne e hedhim poshtë kategorikisht posedimin e armëve bërthamore. Ky është qëndrimi ynë politik, fetar, njerëzor dhe strategjik”, u shpreh ai.
Pezeshkian tha se Teherani mbetet i hapur për angazhim diplomatik, por këmbënguli që çdo negociatë duhet të njohë të drejtën e Iranit për të pasuruar uranium për përdorim civil.
“Çdo negociatë e ardhshme duhet të bazohet në një logjikë fitimtare për të dyja palët”, tha ai.
Ai gjithashtu lëshoi një paralajmërim të ashpër për Izraelin, duke thënë se Irani është gati të përgjigjet me forcë ndaj çdo sulmi të ardhshëm.
“Ne jemi plotësisht të përgatitur për çdo veprim ushtarak izraelit dhe forcat tona janë gati të godasin thellë në territoret e pushtuara edhe një herë”, tha ai.
Bisedimet midis Iranit dhe SHBA-së po zhvilloheshin përmes ndërmjetësve omanë deri në sulmin e papritur të Izraelit ndaj Iranit më 13 qershor, i cili shkaktoi një luftë 12-ditore, duke synuar objekte ushtarake, bërthamore dhe civile, si dhe komandantë të lartë ushtarakë dhe shkencëtarë bërthamorë./rtsh.al