Presidenti Biden merr përgjegjësi të plotë për trajtimin e emigrantëve haitianë

07:15 | 25 Shtator 2021

Presidenti amerikan Joe Biden tha të premten se ai merr përgjegjësinë e plotë për trajtimin e emigrantëve haitianë në kufirin SHBA-Meksikë.

Presidenti Biden e quajti situatën e vazhdueshme gjatë së cilës vetëm pak ditë më parë agjentë të Patrullës Kufitare të Shteteve të Bashkuara u ballafaquan në mënyrë agresive me emigrantët, një “turp” për vendin.

Duke folur me gazetarët në Shtëpinë e Bardhë, Presidenti Biden tha se ishte e tmerrshme të shihje njerëzit që “trajtoheshin në atë mënyrë”.

“Sigurisht, unë marr përgjegjësinë. Unë jam president”, tha ai, duke shtuar se do të ketë një hetim dhe pasoja për oficerët e Patrullës Kufitare, veprimet e të cilëve u dënuan gjerësisht.

“Është një turp. Por përtej turpit, është e rrezikshme. Është e gabuar. Dërgon mesazh të gabuar në të gjithë botën… Thjesht, ne nuk jemi të tillë”, tha ai.

Komentet e presidentit u bënë ndërsa po përfundon një javë që e futi administratën e Presidentit Biden në gjendje krize për trajtimin e mijëra emigrantëve haitianë të vendosur në qytetin kufitar Del Rio, Teksas, të dëshpëruar për të hyrë në Shtetet e Bashkuara.

Nga rreth 15 mijë haitianë që fillimisht u mblodhën atje, dy të tretat e tyre familjarë, tashmë kanë mbetur vetëm disa mijëra, njoftoi Departamenti Amerikan i Sigurisë Kombëtare (DHS). Ndërsa disa janë liruar me kusht në territorin e Shteteve të Bashkuara për shqyrtimin përfundimtar të kërkesave për azil, shumë të tjerë janë dërguar në stacionet e Agjensisë së Doganave dhe Mbrojtjes Kufitare për t’u deportuar ose larguar nga Shtetet e Bashkuara.

DHS raporton se afërsisht 2 mijë shtetas haitianë janë kthyer në Haiti me 17 fluturime, ndërkohë që vazhdojnë ende fluturimet për riatdhesimin.

Zyrtarët amerikanë besojnë se disa mijëra emigrantë nga Haiti kanë kaluar përsëri në Meksikë.

Situata ka provokuar thirrje të ashpra si nga aleatët politikë të administratës ashtu edhe nga kundërshtarët. Ambasadori Daniel Foote, i cili shërbeu si i dërguar special i SHBA-së në Haiti që nga korriku, dorëzoi dorëheqjen të mërkurën për të protestuar ndaj administrimit të krizës nga administrata e Presidentit Biden.

Ambasadori Foote tha se qasja amerikane ndaj Haitit “mbetet thellësisht e gabuar”, duke shtuar se këshillat e tij ishin “injoruar dhe hedhur poshtë” në Uashington, “kur nuk ishin redaktuar për të projektuar një version të ndryshëm” nga ç’kishte paraqitur ai.

Zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, Ned Price mohoi ankesat e zotit Foote, duke thënë se pikëpamjet e tij “u morën parasysh plotësisht në një proces politikash rigoroz dhe transparent. Disa nga ato propozime u përcaktuan se ishin të dëmshme për angazhimin tonë për promovimin e demokracisë në Haiti dhe u refuzuan gjatë procesit të politikave. Që ai të thotë se propozimet e tij u injoruan, është thjesht e rreme”.

Ndërsa shumë kanë shprehur tronditje dhe tmerr për taktikat e agjentëve të Patrullës Kufitare kundër emigrantëve haitianë, senatori republikan Lindsey Graham i Karolinës së Jugut shkruajti në Twitter një qëndrim të ndryshëm.

“Zoti i bekoftë burrat dhe gratë e Patrullës sonë Kufitare, të cilëve u kërkohet të bëjnë të pamundurën”, shkruajti Senatori Graham në Twitter. “Gjatë gjithë kohës ata janë duke u fajësuar dhe keqpërdorur nga Administrata më e paaftë në historinë moderne amerikane”.

Senatori Graham i bëri thirrje Sekretarit të Sigurisë Kombëtare, Alejandro Mayorkas të japë dorëheqjen, duke thënë se kufiri i Amerikës po “dorëzohet”./voa/

Shpërndaje në rrjete sociale

Lajmet më të lexuara