Plani i Italisë për të shpëtuar Venecian nga fundosja

22:05 | 28 Shtator 2022

Venecia rrezikon t’i nënshtrohet fundosjes së themeleve dhe rritjes së nivelit të detit.

Për të shmangur katastrofën, qyteti po bën ndryshime.

Qyteti i Venecias është një çudi mahnitëse.

Ai është ndërtuar në majë të rreth 120 ishujve, i kryqëzuar nga 177 kanale, dhe nëse dëshironi ta eksploroni më së miri duhet ta bëni në këmbë nëpërmjet përdorimit të 391 urave të tij, shkruan BBC transmeton arbresh.info.

Qyteti është një labirint i mbushur me ujë, plot me shtigje të vogla dhe sheshe të fshehura, muze të fshehura dhe kisha me arkitekturë shekullore.

Por në “La Serenissima” nuk është gjithçka duke shkuar siç duhet.

Në të vërtetë, nëse nuk merren masa drastike, ditët e qytetit mund të jenë të numëruara.

Venecia ndodhet në rrezik shumë real për t’u përbirë nga deti, dhe sipas skenarit më të keq parashihet që qyteti mund të zhduket nga valët, para vitit 2100.

Ndërkohë, shumë prej ndërtesave po fundosen ose po dëmtohen nga varkat.

Qyteti gjithashtu është i mbingarkuar nga turistët, ndërsa popullsia lokale është në rënie të vazhdueshme.

Në gjithë globin një sërë qytetesh po goditen në mënyrë të ngjashme si Venecia si pasojë e fundosjes apo rritjes së nivelit të detit.

Xhakarta, kryeqyteti Indonezian, shtëpia e rreth 11 milionë njerëzve është në gjendje kaq të rëndë saqë po zëvendësohet nga Nusantara, si kryeqyteti i ri Indonezisë.

Venecia, në nëntor të 2019, pësoi përmbytjen e dytë më të rëndë që nga fillimi i regjistrimeve pothuajse 100 vjet më parë.

Imazhet e Sheshit të Shën Markut, i përmbysur nga uji, ishin kryetitujt në mbarë botën, dhe shikuesit mbetën të mahnitur.

Batica arriti një lartësi maksimale prej 187 cm (6.1ft) mbi nivelin e detit, duke rezultuar në më shumë se 80% të qytetit nën ujë.

Sipas kryetarit të bashkisë së Venecias, Luigi Brugnaro, është shpallur një gjendje e jashtëzakonshme dhe ka pasur dëme në vlerë prej rreth 1 miliardë eurosh.

“Ne jemi të sigurt se niveli i detit do të vazhdojë të rritet gjatë dekadave të ardhshme për shkak të shkrirjes së vazhdueshme të shtresave të akullit të Antarktidës dhe Grenlandës, si dhe akullnajave malore”, tha Natasha Barloë, profesoreshë e asociuar e ndryshimeve mjedisore në Universitetin e Leeds në MB.

Barloë, tha se edhe një rritje e vogël e nivelit të detit mund të shkaktojë rritje të konsiderueshme në frekuencën dhe intensitetin e përmbytjeve bregdetare, sepse niveli më i lartë i detit rrit nivelin bazë të ujit të stuhive, baticave dhe valëve./arbresh.info/

 

 

Shpërndaje në rrjete sociale