Pandemia, tani një kujtim i largët për Kinën

14:25 | 4 Maj 2021

Pandemia është një kujtim i largët për shumë qytetarë të Kinës, që tani po e zhvillojnë jetën e tyre si më parë.

Të martën zhurmonin rrugicat dhe parqet historike të vendit, me vizitorë vendës dhe të ardhur me rastin e pushimeve të fillim majit.

Në Uhan, në epiqendrën e dikurshme të kovidit-19 mijëra njerëz pa maska festuan e kërcyen krah njëri-tjetrit gjatë një festivali muzikor.

Vala e vizitorëve pushtoi Shangain dhe kulmoi në kryeqytet, në zonën e ish-perandorëve të njohur si Qyteti i Ndaluar, ku vizitorët përfshinin të gjitha moshat, edhe çifte të sapomartuarish.

“Mendoj se ne banorët e brendshëm jemi me fat. Po të vinim nga jashtë, mund të mos ishim kaq të lirë në lëvizje, për pushime apo në shkollë.”

“Mendoj se për festat e 1 majit këtë vit ka pasur mjaft njerëz. Vetë nuk kam dalë prej pandemisë, por kur shoh kaq shumë njerëz, jam e lumtur.”

“Virusi po kontrollohet mirë, vaksinat kanë dalë ndaj ndjehem relativisht i sigurt.”

Izolimi i shpejtë dhe mbyllja e kufijve në fazën e parë të pandemisë e ka ndihmuar Kinën që ta mbajë nën kontroll situatën me koronavirusin, ndërkohë që fqinji jugor, India, po kalon ditë më dramatike.

Autoritetet i frikësohen shpërthimit të valëve të reja të infeksionit dhe kanë udhëzuar pikat e njohura turistike të kufizojnë numrin e vizitorëve

Të huajt ose qytetarët që vijnë nga jashtë janë të detyruar të qëndrojnë disa ditë në karantinë.

Aktiviteti ekonomik, ndërkohë, po e rimerr veten dhe në tremujorin e parë, produkti i brendshëm i vendit u zgjeruar me 18,3 për qind, rritje rekord që nga viti 1992.

Shpërndaje në rrjete sociale

Lajmet më të lexuara