OKB: Objektivi për ngrohjen globale 1.5°C nuk është më i arritshëm

19:16 | 7 Nëntor 2025
R J

Anija e Greenpeace `Rainbow Warrior` ka arritur të mërkurën, në Belem, me përfaqësues nga komunitetet indigjene në të gjithë Brazilin në nisje të samitit të klimës.

 

Ajo barte mesazhe si “Veprim, Drejtësi dhe Shpresë” si dhe “Ndal shkatërrimit të pyjeve” për ti bërë thirrje udhëheqësve botërorë që ti japin fund të shpyllëzimit global deri në vitin 2030 dhe hyjnë menjëherë në një tranzicion të drejtë energjetik.

Në samit OKB-ja ka bërë të ditur se tani është “praktikisht e pamundur” të mbash objektivin ndërkombëtar të kufizimit të ngrohjes globale prej 1.5 gradë Celsius.

Shefi i saj, António Guterres, tha se ky është rezultat i “dështimit moral dhe neglizhencës vdekjeprurëse”

Kryeministri i Mbretërisë së Bashkuar, Keir Starmer, u tha udhëheqësve botërorë se “konsensusi është zhdukur” për luftën kundër ndryshimeve klimatike.

Mbretëria e Bashkuar po dyfishon përpjekjet për të luftuar ndryshimet klimatike, tha Starmer, duke shtuar se “kjo është një përpjekje vërtet kolektive”.

Kryeministri reflektoi se 10 vjet më parë vendet u pajtuan të përpiqeshin të kufizonin ngrohjen globale në 1.5 gradë Celsius mbi kohët para-industriale.

Duke folur në samit, Princi Britanik William tha se Toka po “i afrohet rrezikshëm pikës së kthesës”, duke shtuar se kërcënimi i ndryshimeve klimatike po “afrohet me shpejtësi”.

Në një fjalim të gjerë me pasion, Presidenti brazilian Lula goditi ato që i quajti “forca ekstremiste që fabrikojnë lajme të rreme mbi klimën për përfitime politike”.

Ndërsa nuk e përmendi drejtpërdrejt Presidentin Trump, udhëheqësi brazilian tha se dritarja për veprim po mbyllet me shpejtësi dhe veprimet e atyre që mohojnë të vërtetën rreth ndryshimeve klimatike po dënojnë brezat e ardhshëm me një planet të ndryshuar përgjithmonë nga temperaturat në rritje.

Por Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, i cili nuk është i pranishëm në konferencë, ka thënë se nuk do të dërgojë asnjë zyrtar të nivelit të lartë në samit e mbase asnjë delegacion, por kjo sipas tij nuk do të thotë se ai nuk do të përpiqet t?i prishë bisedimet.

Përveç SHBA-së, as udhëheqësit e Kinës dhe Indisë, që të tria së bashku janë përgjegjëse për gati gjysmën e emetimeve globale nuk do të marrin pjesë.

Klima ka ndryshuar natyrshëm gjatë gjithë historisë së Tokës. Por shkaqet natyrore nuk mund të shpjegojnë ngrohjen veçanërisht të shpejtë të parë gjatë shekullit të kaluar, sipas organit të klimës të OKB-së, Panelit Ndërqeveritar për Ndryshimet Klimatike./rtk