Dy e treta e ndërtesave në Rripin e Gazës janë dëmtuar ose shkatërruar që nga fillimi i luftës në Gazë në tetor të vitit 2023, sipas Organizatës së Kombeve të Bashkuara (OKB).
Në përditësimin e fundit të raportit vlerësues të dëmeve, Qendra Satelitore e OKB-së (UNOSAT) tha se imazhet me rezolucion të lartë të mbledhura më 3 dhe 6 shtator tregojnë një përkeqësim të dukshëm.
“Kjo analizë… tregon se dy të tretat e totalit të strukturave në Rripin e Gazës kanë pësuar dëme”, tha UNOSAT.
“Totali prej 66 përqind të ndërtesave të dëmtuara në Rripin e Gazës përfshin gjithsej 163.778 struktura”, thuhet tutje në vlerësimin e UNOSAT-it.
Vlerësimi paraprak, bazuar në imazhe nga fillimi i korrikut, kishte përcaktuar se 63 përqind e strukturave në këtë territor palestinez kishin pësuar dëme.
Përditësimi i së hënës bëri të ditur se dëmet tani përfshijnë “52.564 struktura të shkatërruara; 18.913 struktura të dëmtuara rëndë; 35.591 struktura të mundshme të dëmtuara; dhe 56.710 të prekura mesatarisht”.
UNOSAT dhe Organizata e Ushqimit dhe Bujqësisë e OKB-së raportuan gjithashtu se rreth 68 përqind e fushave të kulturave të përhershme në Gazë treguan një “rënie të ndjeshme në shëndetin dhe dendësinë” e tyre në shtator.
Sulmi i paprecedentë i Hamasit ndaj Izraelit më 7 tetor rezultoi në vdekjen e 1.205 personave, kryesisht civilë, sipas një bilanci të AFP-së, bazuar në shifrat zyrtare izraelite që përfshijnë pengjet e vrara në robëri.
Ofensiva ushtarake hakmarrëse e Izraelit ka vrarë të paktën 41.615 persona në Gazë, shumica prej tyre civilë, sipas shifrave të ofruara nga ministria e shëndetësisë e drejtuar nga Hamasi, grupi palestinez i shpallur organizatë terroriste nga SHBA-ja dhe BE-ja. Kombet e Bashkuara e kanë përshkruar këtë numërim si të besueshëm.
UNOSAT, pjesë e Institutit të OKB-së për Trajnim dhe Kërkim (UNITAR) në Gjenevë, thotë se analiza e saj e imazheve satelitore ndihmon komunitetin humanitar të vlerësojë përmasat e dëmeve nga konflikti dhe ndihmon në formësimin e përpjekjeve të ndihmës emergjente.
“Në vitin e fundit, ekipi i UNOSAT-it ka punuar pa pushim për të ofruar informacione të sakta dhe të përditësuara mbi ndikimin e konfliktit në ndërtesat dhe infrastrukturën në Gazë,” tha drejtori ekzekutiv i UNITAR-it, Nikhil Seth./rel
E vrau dhe trupin ia hodhi në humnerë, kërkohet burgim i për...
Mjekja e OBSH ngre alarmin: Ebola mund të përhapet më shpejt...
Pesë serbë ndalohen për cenim të vullnetit të lirë të votues...
Çfarë mesazhi dërgojnë studentët protestues në Serbi me “Mem...
Incidenti me dronin, Estonia mbyll hapësirën ajrore me Ukrai...
Bëhet viral reagimi i Neymarit pas mësoi ftesën nga Brazili ...